Botë

Marrëveshja për armëpushim në Gazë, pritet miratimi nga qeveria izraelite

16.01.2025 15:51

Pas njoftimeve për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, palestinezët festuan të mërkurën deri vonë...

Pas njoftimeve për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, palestinezët festuan të mërkurën deri vonë. Edhe familjarët e pengjeve izraelite e kanë mirëpritur mundësinë e lirimit të 33 të rrëmbyerve. Ata thonë se nuk besojnë derisa të shohin pengjet e tyre nga Rripi i Gazës duke kaluar kufirin me Izraelin. Marrëveshja parasheh lirimin në faza të dhjetëra pengjeve të mbajtur nga Hamasi, lirimin e qindra të burgosurve palestinezë në Izrael dhe mundëson që qindra mijëra njerëz të zhvendosur në Gazë të kthehen në atë që ka mbetur nga shtëpitë e tyre. 
 
“Tentuan të eliminonin Hamasin, të kthenin pengjet me forcë ushtarake. Qëllimi i tyre i fshehur ishte likuidimi i kauzës palestineze. Tani ne po përballemi me një fazë të re në Gazë, fazën e ndërtimit dhe rikonstruksionit.”, - deklaroi shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Khalil al-Haja.
 
Por, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, ka thënë se një “krizë e momentit të fundit” me Hamasin është duke e vonuar miratimin e marrëveshjes.
 
“Qeveria dëshiron që marrëveshja të finalizohet, por mosmarrëveshjet mbeten në disa nga aspektet për të cilat menduam se ishin dakorduar, prandaj, derisa të finalizohet, nuk do të vendoset për votim.”, - theksoi zëdhënësi i qeverisë izraelite, Dejvid Manser.
 
Komuniteti ndërkombëtar dhe agjencitë humanitare thonë se marrëveshja duhet të respektohet dhe të zbatohet nga të dyja palët.
 
“Ne jemi të gatshëm të mbështesim zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe të rrisim shpërndarjen e ndihmës humanitare për palestinezët, ndaj u bëj thirrje të dyja palëve të lehtësojnë dërgimin e saj të shpejtë dhe të sigurt për civilët.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
 
Marrëveshjen për armëpushim mes Izraelit dhe Gazës e kanë përshëndetur vende të shumta, duke përfshirë ShBA-në, BE-në dhe Maqedoninë e Veriut. Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi të dielën më 19 janar dhe është në tre faza, me një armëpushim fillestar 42-ditor gjatë të cilit do të ketë një lirim gradual të 33 pengjeve të parë dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga zonat e populluara të Rripit të Gazës. Ndërsa në fazën e tretë parashikohet kthimi i trupave të pengjeve të vrarë që mbaheshin në Gazë dhe krijimi i një plani rindërtimi dhe strukture të re qeverisëse. Por, që nga njoftimi i arritjes së marrëveshjes, bombardimet e ushtrisë izraelite në Gazë kanë vrarë të paktën 73 palestinezë.  
 
ARMEND MURSELI