Botë
Ishulli i Sazanit, kompania e dhëndrit të Trampit, investitor strategjik
16.01.2025 16:16
Kompania e lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, ka marr statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e resortit turistik në ishullin e Sazanit....

Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri, Edi Rama, i ka dhënë statusin Investitor Strategjik kompanisë së lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Tramp, për ndërtimin e resortit turistik në ishullin e Sazanit.
Sipas këtij vendimi, investimi në ishull nga kompania e lidhur me Jared Kushner kap vlerën 1.4 miliardë euro dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8% të ishullit apo në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Nga projekti pritet të punësohen mbi 1 mijë persona.
Ndërtimi i resortit luksoz në Sazan është i ndarë në tre faza dhe sipas vendimit statusi Investitor Strategjik jepet për një periudhë 10-vjeçare.
Me miratimin e statusit, kompania e lidhur me Jared Kushner do duhet të negociojë një kontratë me kompaninë publike Korporata e Investimeve Strategjike, ndërsa një sërë institucionesh shtetërore, vihen në dispozicion të kompanisë për të transferuar pronën dhe për të përgatitur dokumentacionin për lehtësim të punimeve.
Ky investim propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike, si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale me shërbime në funksion të tyre.
LULJETA NDOKA
