Maqedoni

OEMVP, takim me përfaqësuesit e Qeverisë

16.01.2025 17:04

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore organizoi takim me përfaqësues të Qeverisë...

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore organizoi takim me përfaqësues të Qeverisë, për t’i njoftuar përfaqësuesit qeveritarë me problemet ekonomike dhe ato të biznesit.  Kryetari i kësaj ode, Mendi Qyra, theksoi se këto takime po ndihmojnë në masë të madhe bizneset, dhe po dëshmojnë se bizneset shqiptare kanë përkrahjen e Qeverisë.
 
“Për herë të dytë në kohëzgjatje prej 6 muajve kemi takime në lidhje me problematikat që ka ekonomia dhe biznesi në përgjithësi. Do të hapim tema të ndryshme që ka probleme biznesi, me qëllim që t’i zgjedhim sa më shpejt dhe për projekte që anëtarët e Odës do të aplikojnë në të ardhmen për të shfrytëzuar mundësitë që i jep Qeveria.”, - deklaroi drejtori i OEMVP-së, Mendi Qyra.
 
Zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, theksoi se takimet e këtilla dhe ndihma e sektorit të biznesit janë pjesë e programit të Qeverisë. Sa u përket projekteve, që kanë për qëllim zhvillim ekonomik të vendit, Mexhiti mes tjerash theksoi korridorin 8 dhe 10 dhe ndarjen e rreth 400 milion eurove për komunat. 
 
“Duke pasur parasysh se shtyllat e Qeverisë janë zhvillimi ekonomik, standardi jetësor, decentralizimi, kjo nënkupton që duhet të kemi takime të rregullta dhe të shpeshta me Odat Ekonomike dhe për t’i bashkëbiseduar temat, se si ta ndihmojmë biznesin, për shkak se vlerësojmë se ekonomia e determinon edhe politikën.”, - theksoi zëvendëskryeministri i Qeverisë, Izet Mexhiti.
 
Në takim u theksua edhe domosdoshmëria për hartimin e politikave të përbashkëta për sa i përket ndihmës shtetërore për bizneset e vogla, si dhe rritja e shkëmbimit tregtar dhe ofrimit të mundësive që kompanitë e vendit të rrisin prodhimtarinë dhe rritjen e vendeve të punës.
 
FITIM KRYEZIU