Botë
Marrëveshja për armëpushim në Gazë, pritet miratimi nga qeveria izraelite
17.01.2025 11:02
Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim, por pritet që marrëveshja të miratohet nga qeveria izraelite....

Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim, por pritet që marrëveshja të miratohet nga qeveria izraelite.
Kabineti i sigurisë në Izrael do të takohet sot për t’i dhënë aprovimin final ujdisë me grupin militant të Hamasit për armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, konfirmoi se marrëveshja është arritur, pasi u tejkaluan edhe mospajtimet e fundit me Hamasin. Mes ndasive të thella në kabinet, Izraeli e shtyu takimin gjatë së cilit do të votohej pakti, duke fajësuar Hamasin për këtë. Por më vonë, Netanjahu u informua nga ekipet negociuese se mosmarrëveshjet që kishin të bënin me lirimin e pengjeve dhe të burgosurve palestinezë u sheshuan.
Por, teksa armëpushimi pritet të hyjë në fuqi të dielën, banorët e Gazës vijojnë të përjetojnë orë dramatike. Avionët izraelitë kanë vazhduar sulmet intensive dhe autoritetet palestineze thonë se mbi 100 persona përfshirë, 27 fëmijë dhe 31 gra janë vrarë gjatë 2 ditëve të fundit dhe 264 të tjerë janë plagosur. Sulmet ajrore kanë goditur një sërë zonash rreth Gazës edhe mëngjesin e së premtes. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi, tha se Uashingtoni beson se armëpushimi për konfliktin 15-mujor do të fillojë të implementohet që këtë fundjavë.
