Maqedoni

VLEN: Përkushtohemi për rritjen e cilësisë në arsim

17.01.2025 13:59

Koalicioni VLEN zotohet se janë të përkushtuar për rritjen e cilësisë në arsim....

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, i njoftoi qytetarët se në bazë të programit qeverisës VLEN është thellësisht e përkushtuar për rritjen e cilësisë në arsim. Sipas tij, për vitin 2025, Qeveria ka vendosur rritje të buxhetit për arsim që do të arrijë vlerën e 38 miliardë denarëve.
 
“Pra, po flasim për një buxhet që do të arrijë vlerën e 38 miliardë denarëve. Me krenari, kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë informojmë publikun e gjerë që VLEN-i ka rritur edhe buxhetin për Universitetin e Tetovës, ku gjatë vitit 2025 janë paraparë 18 milionë euro, derisa buxheti i po të njëjtit universitet gjatë vitit 2024 ishte 12 milionë euro. Pra, kemi rritje për 6 milionë euro për këtë vit. Edhe për Universitetin “Nënë Tereza” për vitin 2025 janë ndarë 4.8 milionë euro. Koalicioni VLEN përkushtohet me përgjegjësi të lartë edhe për arsimin e mesëm ku kemi paraparë rritje të buxhetit në vitin 2025 deri në 29 milionë euro.”, - deklaroi zëvendësministri i MASh-it, Lulzim Aliu. 
 
BDI: Qeveria për 7 muaj shkatërroi arritjet e një dekade
 
Ndërkohë nga BDI kanë numëruar dështimet e pushtetit, të cilat i kanë bërë për 6 muaj qeverisje.
 
“Nga një sistem arsimor që solli Abetaren e përbashkët mbarëkombëtare, në një qeveri që u përpoq të zëvendësojë identitetin dhe kulturën me himnin për nxënësit shqiptarë, nga mbështetja e kulturës shqiptare dhe promovimi ndërkombëtar i trashëgimisë sonë, në anulimin e projekteve dhe ndalimin e subvencioneve për institucionet shqiptare. Ky është bilanci i një qeverie që në vetëm shtatë muaj ka shkatërruar arritjet e një dekade dhe ka dëmtuar rëndë pozitën euroatlantike të vendit.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
 
Zëvendësministri Aliu po ashtu njoftoi se Qeveria do të bëjë rikonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme, duke i dhënë theks gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, por edhe për ndërtimin e sallave sportive në shkollat fillore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së studentëve, duke i përmirësuar kushtet në konviktet studentore. 
 
FITIM KRYEZIU