Botë
Raporti i progresit 2024 u diskutua në Kuvend, Rokas: Ndryshoni Kushtetutën, reformat kyçe
17.01.2025 14:14
Euroambasadori Mihalis Rokas porosit RMV-në që të shfyrtëzojë vullnetin për zgjerim që ekziston brenda BE-së...

Maqedonia e Veriut ta shfrytëzojë momentumin për zgjerim që ekziston brenda BE-së, t’i miratojë ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojë me realizimin e reformave, porositi euroambasadori nga Kuvendi, Mihalis Rokas. Shtëpia legjislative po ashtu të ketë kujdes me përdorimin e flamurit evropian, shton ambasadori, ndërsa partitë politike i sugjeron që të angazhohen në mënyrë që Kuvendi të funksionojë si forum dialogu në drejtim të përshpejtimit të reformave për integrim në BE dhe të kontribuojnë në realizimin e dëshirës së popullit, e që është bashkimi me familjen e madhe evropiane.
“Kuvendi nuk arriti ta sigurojë 2/3 e votave. Patjetër të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe në të të përfshihen qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit, siç janë edhe bullgarët. Nuk pati konsensus edhe në procesin e miratimit të ligjeve që rregullojnë Administratën Publike ose në përmirësimin e statusit të zyrës së Avokatit të Popullit. Përbërja e re parlamentare duhet ta përshpejtojë punën e vet dhe të vazhdojmë me reformat, të cilat janë të nevojshme për procesin eurointegrues të vendit, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese.”, - deklaroi eurombasadori, Mihalis Rokas.
Filipçe: Integrimi kërkon gjithëpërfshirje
Venko Filipçe, kryetar i Këshillit Nacional për Integrime, duke përmendur kushtet që i parashohin grupkapitujt e BE-së veçon nevojën për miratimin e Kodit Penal. Thotë se integrimi kërkon angazhim gjithëpërfshirës.
“Shpresoj se në çdo grup njerëzish, institucione, të pranishmit këtu, secili gjen fokusin e vet të interesit dhe në këtë kuptim ftoj secilin që të kontribuojë, të merr pjesë aktive në diskutim dhe të iniciojë mbledhje nëse ka nevojë dhe të kontribuojë në sfidat që ballafaqohemi çdo ditë.”, - theksoi kryetari i Këshillit Nacional për Integrime, Venko Filipçe.
Milloshovski: Kushtet, shpesh jashtë kritereve
Për anëtarin e Këshillit, Antonio Milloshovki, çdo parti e kujdesshme është pro integrimeve, por kërkon që kushtet e BE-së ndaj vendit të burojnë nga kushtet e Kopenhagës dhe standardet e Unionit.
“Anëtarësimin e Maqedonisë në BE, vlerësoj se asnjë parti racionale nuk e vë në pikëpyetje, por gjithashtu mendoj se të gjitha partitë racionale duhet të jenë të sinqerta dhe të thonë se ndaj Maqedonisë disa herë është vepruar në mënyrë joparimore, me kushte që në përgjithësi nuk ndërlidhen me kriteret e Kopenhagës dhe nuk janë pjesë e standardeve të vendeve brenda BE-së.”, - u shpreh anëtari i Këshillit Nacional për Integrime, Antonio Milloshovki.
Këto komente u thanë në diskutimin e raportit të KE-së për Maqedoninë e Veriut për vitin 2024. Viktoria Trajkova, zëvendësministre për Eurointegrime tha se vitin që lamë pas, vendi ynë në raport progres është vlerësuar me notë 3.22 që e konsideron të nivelit të mirë solide dhe konstante me vitet e fundit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
