Maqedoni

Administratorët protestojnë para Ministrisë së Financave, kërkojnë dialog për rritjen e pagave

17.01.2025 14:27

Një pjesë e punëtorëve dhe anëtarëve të sindikatës së punëtorëve nga administrata....

Një pjesë e punëtorëve dhe anëtarëve të sindikatës së punëtorëve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve kanë vazhduar protestat e tyre para Ministrisë së Financave, duke kërkuar marrëveshje të re kolektive me të cilin do të aprovohet rritja e shtesave në paga prej 30 për qind. Japin vërejtjen dhe mundësinë e fundit përfaqësuesve të Qeverisë, që të ulen dhe bashkërisht të zgjidhin problemin e tyre, përkundrazi paralajmërojnë radikalizim të protestave.
 
“Meqenëse dialogu nuk zhvillohet përmes njoftimeve dhe mediave, sindikata e SPOGJ-së sot ka dorëzuar kërkesë zyrtare për takim me kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Kërkojmë që përsëri të rifillojnë negociatat që u ndërprenë, në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Financave, duke refuzuar propozimin e marrëveshjeve kolektive për shtesën e pagës, për këta punonjës që janë këtu me ne. Në të kundërtën do të jemi të detyruar të riaktiviozjmë protestat duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë e parashikuara me ligj për të shprehur pakënaqësitë e punëtorëve, duke mos përjashtuar grevën dhe paditë ndaj shtetit.”, - deklaroi kryetari i SPOGJ-së, Tërpe Deanovski.
 
Sindikalistët thonë se buxheti i shtetit këtë vit është më i madhi, andaj ata vlerësojnë se nuk është problem që 3.500 administratorëve t’u rritet paga prej 30 për qind. Zoran Georgievski, i punësuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe njëherit anëtar i sindikatës, tha se meritojnë kushte dhe paga më dinjitoze në një kohë kur është rritur standardi i jetesës së qytetarëve.
 
“Kërkojmë trajtim të barabartë për të gjithë. Çdo punonjës, pavarësisht nga pozicioni apo vendi i tij i punës, ka të drejtën e të njëjtës rritje dhe të njëjtën njohje për punën e tij. Ne kërkojmë një rritje të pagave prej të paktën 30 për qind, që është minimumi që mund të bëhet, me çfarë do t’u mundësohet punëtorëve të ruajnë dinjitetin e tyre dhe të sigurojnë nevojat elementare për familjet e tyre.”, - theksoi i punësuari në MD - anëtar i Sindikatës, Zoran Gjeorgjievski.
 
Nga Qeveria shprehen të hapur për negociata, mirëpo janë kundër organizimit të protestave. Protestat e sindikatës së punëtorëve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve do të organizohen çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
 
REXHEP QAMILI