Maqedoni
Vdekjet e fëmijëve në klinikë, LSDM: Përgjegjësi, të dorëhiqet Taravari dhe Mehmeti
17.01.2025 15:15
Pas rastit të fundit me fëmijën nëntëvjeçar që ndërroi jetë në Klinikën e Fëmijëve, si dhe vdekjes së të porsalindurve binjakë nga Prilepi...

Pas rastit të fundit me fëmijën nëntëvjeçar që ndërroi jetë në Klinikën e Fëmijëve, si dhe vdekjes së të porsalindurve binjakë nga Prilepi, LSDM-ja opozitare kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari dhe nga drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi. Nuk mund të presim që fëmijët të vdesin dhe më pas të reagojmë, thonë nga LSDM, të cilët këmbëngulin për një hetim të plotë, analiza të thella dhe masa parandaluese për të gjetur, siç thonë ata, burimin e tragjedive të tilla. Gjendja është alarmante, ngase pothuajse çdo muaj vdes nga një fëmijë, thonë nga kjo parti.
“I bëjmë thirrje Qeverisë aktuale që të parandalojë rikthimin e praktikave të vjetra dhe shkallës së lartë të vdekshmërisë. Sistemi shëndetësor duhet të funksionojë me përgjegjësi, transparente dhe në interes të qytetarëve. Këtë periudhë të kaluar, për fat të keq, pothuajse çdo muaj jemi dëshmitarë të lajmeve për fëmijë të vdekur në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve. Situata është më se alarmante. Në shekullin 21, në kohën kur teknologjitë moderne po lansohen në sistemin shëndetësor, vitin e kaluar statistikat tona regjistruan 19 foshnja të vdekura dhe një vajzë pesëvjeçare në vetëm gjashtë muaj. Kjo është e frikshme dhe shqetësuese!", - deklaroi Belkisa Zeqiri nga LSDM.
VMRO-DPMNE: LSDM nuk bëri asgjë për shëndetësinë
Komenteve të tilla iu përgjigj VMRO-DPMNE-së në pushtet. Sipas tyre, LSDM kishte kryetarin e saj aktual ministër të Shëndetësisë, i cili nuk bëri asgjë për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, por përkundrazi ishte sinonim i vdekjeve dhe shkatërrimit të shëndetësisë publike.
"Vetëm për atë se i interesonin provizionet nga tenderët, si ministër i Shëndetësisë, Filipçe lejoi ndërtimin e spitalit modular kriminal në Tetovë, në të cilin u dogjën të gjallë 14 persona. Dhe Filipçe nuk mban përgjegjësi për këtë, sepse, imagjinoni, kablloja e kishte fajin. Filipçe ishte ministër i Shëndetësisë, gjatë periudhës kur Maqedonia u pozicionua lart në listat evropiane dhe botërore, për sa i përket vdekshmërisë nga virusi korona. Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 10 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë vdekur nga virusi korona.", thuhet mes tjerash në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
FLORIJE KAMBERI
