Maqedoni
Konferenca “Diplomacia e biznesit”, Mucunski: Punojmë për shtet të fuqishëm ekonomik
17.01.2025 15:30
Të reduktohen pengesat administrative dhe të gjitha barrierat e tjera për tregtinë në vendet e rajonit...

Të reduktohen pengesat administrative dhe të gjitha barrierat e tjera për tregtinë në vendet e rajonit, progresi i vendit në rrugën e integrimeve evropiane, hapat e ardhshëm në këtë proces, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ishin tema të diskutimit gjatë konferencës ndërkombëtare “Diplomacia e biznesit – Rruga drejt rritjes së ekonomisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”. Ministri Mucunski theksoi rëndësinë e ruajtjes së një dialogu konstruktiv me Parlamentin Evropian dhe rolin kyç të diplomacisë së biznesit në promovimin e paqes dhe përfitimeve ekonomike.
"Në periudhën në vazhdim do të punojmë intensivisht për arritjen e këtyre qëllimeve ekonomike dhe kështu do të kontribuohet në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të shtetit. Përmes promovimit të tregtisë, investimeve dhe partneriteteve ekonomike do të ndikojmë në rritjen e konkurrencës së kompanive tona dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo përbën një hap të rëndësishëm përpara në ndërtimin e një shteti të fuqishëm ekonomik.", - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Resler: 70% e tregtisë së rajonit është me BE-në
Deputeti në Parlamentin Evropian, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE – Maqedoni e Veriut, Karlo Resler, theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja janë të lidhura ngushtë. Sipas tij, varësia është e ndërsjellë veçanërisht kur bëhet fjalë për tregtinë.
"Mbi 70% e tregtisë së rajonit shkon dhe vjen drejt BE-së, ndërsa me Kinën përbën vetëm 10%, kjo jep një pasqyrë të qartë të varësisë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Vitin e kaluar u miratua gjithashtu plani kyç për rritje për Ballkanin Perëndimor, i cili forcon angazhimin për zgjerim.”, - theksoi deputeti në Parlamentin Evropian, Karlo Resler.
Të dyja palët theksuan rolin kyç të diplomacisë së biznesit në promovimin e paqes dhe përfitimeve ekonomike, mundësinë jo vetëm të promovimit të eksportit dhe investimeve, por gjithashtu edhe rritjen e shpejtë ekonomike.
ARMEND MURSELI
