Maqedoni

Kumanovë, përurohet hekurudha Kumanovë - Belakovc

17.01.2025 16:16

Pas përfundimit të punimeve, të premten është përuruar hekurudha Kumanovë-Belakovc në gjatësi prej 30.8 kilometra....

Pas përfundimit të punimeve, të premten është përuruar hekurudha Kumanovë-Belakovc në gjatësi prej 30.8 kilometra. Hekurudha në fjalë është pjesë e korridorit 8. Në përurimin e hekurudhës morën pjesë edhe kryeministri, Hristijan Mickoski, ministri për Transport dhe Lidhje, Nikolloski dhe anëtar tjerë të kabinetit qeveritar, të cilët së bashku me gazetarët, të cilët e përcollën ngjarjen, ishin pasagjerët e parë në përurimin e hekurudhës. 
 
“Pas 28 vitesh fillon të funksionojë kjo hekurudhë që është segment i korridorit 8, në nderimin e kësaj hekurudhe është i kyçur edhe Bashkimi Evropian, respektivisht pjesë të mjeteve janë nga BE dhe “EBOR”, kurse në segmente të ndryshme kanë marrë kompani nga Italia, Sllovenia, Austria dhe vende të tjera të BE-së. Sot po e shënojmë përfundimin e fazës së parë të këtij projekti strategjik. Për ne si Qeveri, korridori 8 është projekt strategjik njësoj i rëndësishëm sikurse korridori 10. Këto dy korridore janë prioritete kryesore për Qeverinë tonë, sepse ne si shtet paraqesim udhëkryq natyror të këtyre korridoreve dhe kjo duhet të paraqesë përparësi për ne në krahasim me shtetet tjera në rajon.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
“Shfrytëzimi i kësaj hekurudhe është i një rëndësie të madhe jo vetëm për popullatën lokale, por edhe për bizneset, për zhvillimin e kargo transportit në këtë hekurudhë që do të ndikojë në zhvillimin e biznesit. Falënderoj kryeministrin Mickoski për angazhimin për hapjen e 3 projekteve madhore. Kam kënaqësi të paralajmëroj se brenda disa javëve në bashkëpunim me hekurudhat e RMV-së së shpejti do të fillojë linja e rregullt hekurudhore Kumanovë - Shkup”, - deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski. 
 
Përgjatë hekurudhës janë ndërtuar 3 stacione të reja hekurudhore, 6 pikëndalesa, 5 ura, 1 tunel, barriera sinjalizuese, mure mbrojtëse dhe infrastrukturë tjetër e nevojshme për komunikacionin hekurudhor. Ndërkaq në stacionet hekurudhore dhe pikëndalesat hekurudhore është instaluar pajisja e sinjalizimit telekomunikativ  në vlerë prej 10 milionë eurosh.
 
FATLUM AQIFI