Botë

Gripi dhe virozët në Shqipëri, fluks i madh, Lezha pa spital

17.01.2025 17:01

Një numër personash janë prekur nga gripi dhe virozët e stinës, duke sjellë për pasojë një fluks të madh në urgjencat...

Një numër personash janë prekur nga gripi dhe virozët e stinës, duke sjellë për pasojë një fluks të madh në urgjencat e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë dhe spitalet rajonale.
 
Qindra vizita kryhen çdo ditë dhe pasi marrin ndihmën e parë, pacientët e vegjël pa komplikacione dërgohen në shtëpi, ndërsa të tjerë shtrohen në spital.
 
Fluksi është i madh në kryeqytet, ku është përqendruar një pjesë e madhe e popullsisë, por edhe në rrethe.
 
Më problematike paraqitet situata në spitalin e Lezhës, ku spitali është në rikonstruksion dhe për pasojë, fëmijët e marrin ndihmën në godinën e maternitetit.
 
Edhe në Korçë, Fier, Gjirokastër, Elbasan, Vlorë, Shkodër e në qytete të tjera, qindra të vegjël dërgohen për ndihmë mjekësore në urgjencë, ndërsa thirrja e mjekëve shkon që grupet më vulnerabël, siç janë edhe të moshuarit apo personat me sëmundje kronike të shmangin kontaktet me persona të sëmurë.
 
LULJETA NDOKA