Botë

Kosovë, shënohet 43-vjetori i atentatit në Gjermani

17.01.2025 17:39

Sot shënohet 43-vjetori i vrasjes së veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare...

Sot shënohet 43-vjetori i vrasjes së veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.Ata u vranë më 17 janar të vitit 1982, në një atentat në Gjermani.Vajza e JusufGërvallës, aktualisht ministre e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka përkujtuar atentatin me anë të disa rreshtave të nxjerrë nga ditari i tij, të shkruara në vitin 1979.
 
“Pas të gjitha gjasave, Kosova ime po hy në rrezik të madh, por pikërisht duke hyrë në këtë rrezik do ta gjej edhe shpëtimin. Jetën po e jetoj falas, deri sa të më jepet rasti (nderi), që ta jap për Kosovën, Shqipërinë, për shqiptarizmin.” Jusuf Gërvalla, Fletë nga ditari, 30 dhjetor 1979, (16 ditë pas largimit nga Kosova)”, ka shkruar Donika Gërvalla në përkujtim të 43-vjetorit të atentatit ndaj tre veprimtarëve të mëdhenj të çështjes kombëtare. 
 
Në përvjetorin e 43-të të vrasjes së tre heronjve, kryeministri Albin Kurti, ka qëndruar në Dubovik të Deçanit, në vendlindjen eJusuf e Bardhosh Gërvallës. “Jusuf Gërvalla ka qenë një veprimtar i kulluar politik, me vetëdije të lartë, me vullnet të pathyeshëm, me talent të rrallë dhe me energji të pashtershme.
 
Jusuf Gërvallën e kanë eliminuar shërbimet sekrete serbe, ashtu siç kishin bërë edhe me të tjerë, bashkë me vëllanë e tij, Bardhoshin, dhe shokun e tyre bashkëveprimtar, gazetarin Kadri Zeka, sepse vetëm duke i vrarë mund t’ua pushonin aktivizimin dhe angazhimin. Por, aktivizimi dhe angazhimi për çlirimin e Kosovës vazhdoi edhe pas tyre deri më 1999, kurse përpjekja dhe puna për t’ia shtuar e forcuar substancën lirisë së Kosovës ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot.”, shkruanKurti në një postim në Fejsbuk.
 
Në vendin e ngjarjes policia gjermane asokohe ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba;Kadri Zekën, i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.Jusuf Gërvalla, i cili vdes më vonë në spital, i kishte pëshpëritur policisë "Ka qenë UDB-ja".
 
GYLTENE SINANI