Vdekja e 9 vjeçarit në Klinikën e fëmijëve në Shkup, Inspektorati Shëndetësor nuk ka gjetur lëshime në punën e mjekëve
Dy ditë pasi ndërroi jetë fëmija 9-vjeçar në Klinikën e Shkupit...

Dy ditë pasi ndërroi jetë fëmija 9-vjeçar në Klinikën e Shkupit, Inspektorati Shtetëor Sanitar dhe Shëndetësor pas një mbykqyrjeje të jashtëzakonshme ka konstatuar se nuk ka pasë lëshime në trajtim.
Inspektimi është kryer duke filluar nga mjeku i përgjithshëm në Sveti Nikollë, pastaj në Spitalin Klinik të Shkupit dhe në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup, ku fëmija ka ndërruar jetë.
Sipas Inspektoratit, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, fëmija fillimisht është dërguar në spitalin e Shtipit e më pas në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.
Fëmija ka ankuar për dhimbje stomaku, të vjella, kollitje dhe temperaturë të lartë prej 39 gradësh, për shkak të së cilës nuk kishte fjetur gjatë natës.
"Duke shfaqur gjendje gjumi të thellë është dërguar në Spitalin Klinik të Shkupit, ku ka arritur rreth orës 18:00. Gjatë pranimit, fëmija ka qenë në gjendje të rëndë, dhe menjëherë është nisur me rihidratim dhe korrigjime të parametrave biokimikë. Në orën 22:25 ka pasur një përkeqësim të mëtejshëm, duke çuar në arrest respirator dhe kardiak, gjatë të cilit është transferuar në njësinë për kujdes intensiv për trajtim të mëtejshëm. Gjendja e fëmijës ka vazhduar të përkeqësohet dhe, pavarësisht të gjitha intervenimeve, reanimimi nuk ka pasur sukses dhe në orën 23:30 ka ndodhur vdekja e tij”, thuhet në raportin e IShSSh-së.
Edhe drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, ka thënë se fëmija është sjellë në objektin e tyre në gjendje të rëndë shëndetësore me arrest kardiak dhe parametra të dobët jetësor.
BDI: Të ndërmarrin hapa urgjentë nga MSH
Lidhur me rastin ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim. Përmes një komunikate i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të merr masa për vdekjen e fëmijëve në Klinika.
”Askush nuk mund të pranojë që shëndetësia të degradohet deri në atë pikë sa prindërit të hyjnë në spitale me shpresë dhe të dalin me zemër të thyer. Kjo nuk është një çështje partie apo politike. Është një thirrje njerëzore. I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjitha institucioneve të përfshira që të ndërmarrin hapa urgjentë. Sepse asnjë prind nuk duhet të përjetojë dhimbjen e humbjes së një fëmije dhe asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë shansin për jetë.Ky është një moment që kërkon reflektim dhe veprim”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
Edhe LSDM të premten kërkoi dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë Arben Taravarit dhe drejtorit të Klinikës së fëmijëve në Shkup Rexhep Memedit, sipas të cilëve, numri i fëmijëve të vdekur në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve është alarmant.
Nga ana tjetër kanë reaguar nga partia në pushtet,VMRO-DPMNE duke ua kujtuar socialdemokratëve se në kohën kur kanë qenë në pushtet nuk është bërë asgjë për përmirësimin e kushteve në shëndetësi dhe se nuk kanë marrë përgjegjësi për shumë raste tragjike që kanë ndodhur. (Armend Murseli, TVM2)
