Problematikat e fëmijëve me nevoja të veçanta në Strugë

18.01.2025 18:11

Shkolla Fillore “Vellerzërit Milladinov” - Strugë....

Shkolla Fillore “Vellerzërit Milladinov” - Strugë vazhdon të përballet me problematika të ndryshme në lidhje me vlerësimin dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Zhuta ka theksuar se mungesa e koordinimit dhe bashkëpunimit efektiv me këtë institucion ka rezultuar në vonesa në aplikimet për asistencë dhe mbështetje, duke i lënë fëmijët me nevoja të veçanta pa mbështetje të duhur.

“Realisht jemi qendër mbështetëse për të gjithë rajonin, si shkollë, dhe vlerësimi i fëmijëve me nevoja te veçanta bëhet sipas klasifikimit ndërkombëtarë të funksionimit të aftësisë të kufizuar të shëndetit. Mund të them se është një nga sfidat më të mëdha, ne kemi bashkëpunim vetëm thjesht në letra, me ‘Koço Racinin”, sa i përket koordinimeve ne s’kemi asnjë koordinim. Nëqoftëse ne kemi nevojën e këtyre edukatorëve special, e marrim vesh pasi ka mbaruar konkursi që ka dal, konkursi per edukatorët arsimor, nuk na informojnë, ku qëndron ngecja, kjo është diçka për të pyetur” – tha Drejtoresha e Shkollës “Vellerzërit Milladinov” – Strugë, Albana Zhuta.

Një shqetësim tjetër i ngritur jo vetëm nga udhëheqësit e shkollës, por edhe nga prindërit, ka të bëjë me mungesën e kategorizimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mungesën e asistenteve personal për këta fëmijë.

“Mungesa e kategorizimit të këtyre fëmijëve ndikon negativisht në planifikimin edhe në ofrimin e mbështetjes nga edukatorët special ose më saktë kemi shumë fëmijë që kanë mungesë të edukatorëve special, presim, po presim dhe vazhdojmë të presim, njëherë thanë që do kemi një zyr në Ohër MKF” – theksoi Drejtoresha e Shkollës “Vellerzërit Milladinov” – Strugë, Albana Zhuta.

Prindërit e fëmijëve edhe pse nuk dëshironin të prononcoheshin para kamerës, kanë përcjellë një mesazh të fuqishëm dhe të qartë për të gjithë institucionet përkatëse. Ata kanë shprehur shqetësimin e thellë dhe kërkesën e fortë që institucionet përgjegjëse të veprojnë me seriozitet dhe të mos luajnë me ndjenjat e tyre dhe të fëmijëve.