“Vlon” në BFI, Vojnika dhe Shabani me të vërtetat e dy taborëve
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame mbetet Sulejman Rexhepi dhe kategorikisht nuk mund të pranohet zëvendësimi i tij i dhunshëm në kundërshtim me ligjin, thotë shefi i kabinetit të kreut të BFI-së, Agron Vojnika. Sipas tij, Sulejman Rexhepi gëzon mbështetje të madhe...

Njëherit, Vojnika thotë se në Selinë e rrëmbyer të BFI-së mbetën disa të punësuar, por edhe disa nga mbështetësit e myftiut të shkarkuar, Ibrahim Shabanit. Por, Vojnika thotë se gjendja shëndetësore e tre të punësuarve është përkeqësuar.
“Fatkeqësisht, dua të theksoj se që në orët e para të mëngjesit kishim nevojë për ndërhyrje të ndihmës së parë, e cila erdhi dhe u dha ndihmë tre personave, të cilët u sulmuan fizikisht dje dhe pësuan lëndime të rënda trupore, ndërsa personi i tretë nga stresi dhe nga ajo që përjetoi dje kishte tension të lartë, shtrëngim në kraharor dhe duhej intervenim i ndihmës për të qetësuar situatën. Zgjidhjen e këtij problemi e shohim në një mënyrë të vetme që parashikon ligjin dhe ajo mënyrë është se prokuroria e përgjithshme publike dje ka dhënë urdhër që policia të intervenojë dhe t’i largojë personat që kanë hyrë dhe kanë uzurpuar institucionin”- deklaroi shefi i kabinetit të kryetarit të BFI-së, Agron Vojnika.
Por, myftiu i shkarkuar, Ibrahim Shabani, demanton gjithçka. Ai thotë se nuk është e vërtetë se të punësuarit e BFI-së mbahen peng dhe se përdoret dhunë në këtë institucion. Ai thotë se zgjidhja e vetme është të dorëhiqet Sulejman Rexhepi nga BFI dhe më pas të miratohet rregullorja dhe të mblidhen të gjithë myftinjtë për arritjen e një zgjidhjeje.
“Ky ish kryetarit t’i themi më nuk e meriton të jetë kryetar, me arsyen se ka shkelur rregulloren. Ne do të nisim procedurë gjyqësore për keqpërdorimin e kushtetutës dhe për keqpërdorimin e institucionit dhe pozitës. Ai thirret në intervenimin e shtetit dhe të policisë kinse nuk përfillet një gjë e tillë, nuk është vërtetë. BFI është institucion i hapur për të gjithë besimtarët dhe për të gjithë të punësuarit, ka kushtetutën e saj dhe normativën e saj. Policia është këtu vetëm për të mbrojtur të mos ketë ndonjë konflikt, që ndodhi gjatë ditës së djeshme, nga arsyeja se ai paska njerëz që veprojnë këtu. Ne nuk i llogarisim njerëzit që janë këtu të tij apo të tanët, ata janë njerëz të institucionit. Ata kryejnë punën e tyre dhe kur mbaron orari i punës lirisht mund të shkojnë dhe të kthehen ditën e nesërme”- tha myftiu i shkarkuar i Shkupit, Ibrahim Shabani.
Edhe Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi incidentin e djeshëm para Selisë së BFI-së dhe konstatoi se gjatë ndërhyrjes së personave të myftiut të Shkupit janë dëgjuar krisma armësh, ku nga gjuajtja me pistoletë është dëmtuar një pjesë e tavanit. (Rexhep Qamili, TVM2)
