Besimi: Të merren seriozisht mesazhet e diplomatëve
Tejkalimi i krizës varet nga institucionet e vendit. Menaxhimi i krizës iu takon aktorëve politik dhe kjo njëkohësisht kërkohet edhe nga Bashkimi Evropian...

Mesazhet e euroambasadorëve duhet të merren seriozisht dhe të punohet në debllokimin e situatës politike. Kështu deklaruan zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, dhe ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, pas takimit të tyre me euroambasadorët dhe politikanët ndërkombëtarë në vend.
“Çdo mesazh që vjen duhet të merret seriozisht, pasi që ata hapur përkrahin Maqedoninë në BE dhe duan të na shohin sa më shpejt atje. Çdo mesazh në rend të parë vlen për politikbërësit në Maqedoni dhe mesazhet duhen të merren me seriozitet të madh dhe duhet të ketë veprim sa më të shpejtë”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
“Ajo që në këtë moment është reale, pra mungesa e dialogut politik, më së shumti i bën shërbim atyre që nuk duan që ne t’i fillojmë bisedimet dhe mendoj se në atë fushë të gjithë ata që na përkrahin për integrim në BE dhe NATO, përcjellin të njëjtat porosi, se ne patjetër me hapat tona t’i tejkalojmë vështirësitë që të mundemi më tutje më lehtë të ballafaqohemi me sfidat e bllokadës”- tha ministri i Jashtëm, Nikollla Popovski.
Edhe ambasadorët e vendeve evropiane, njëzëri, para politikanëve vendorë, me urgjencë të madhe kërkojnë situatë të re politike në vend. Ambasadori i Austrisë, Tomas Mishel Bajer, mes tjerash, theksoi se do të ishte gabim i radhës nëse Maqedonia edhe kësaj here nuk do të merrte rekomandim për fillimin e bisedimeve. Këto komente u thanë me rastin e shënimit të Mëngjesit Evropian, të organizuar për nder të Ditëve të Evropës.(Nermin Mulaku- Fejzullahu, TVM2)
