Rasti i Rade Trajkovski-Shtekli, MPB: Konfiskohen para, drogë dhe armë
Para, drogë, automjete, celularë dhe armë...

Para, drogë, automjete, celularë dhe armë janë sekuestruar në aksionin policor në të cilin është arrestuar Rade Trajkovski, i njohur si “Shtekli”. Nga MPB njoftojnë se grupi kishte 14 anëtarë dhe ishte i përbërë nga persona nga Shkupi.
Dyshimet e bazuara janë se organizatori i këtij grupi, nëpërmjet anëtarëve të tij ka shpërndarë dhe u ka shitur lëndë narkotike direkt përdoruesve në rrugë.
“Janë kontrolluar 21 lokacione në Shkup dhe Gjevgjeli, ndërsa mbi sendet e sekuestruara do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Grupi kriminel ka kryer prej një kohe të gjatë krime në fushën e trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike” – deklaroi Zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
PTHP: 14 persona në hetim, 10 persona në paraburgim
Nga Prokuroria Themelore Publike njoftojnë se janë nën hetim të gjithë 14 anëtarët e grupit, derisa janë arrestuar 10 persona, për të cilët kërkohet masa e paraburgimit.
“Duke vlerësuar rrethanat, lidhjen mes të dyshuarve, si dhe veprat penale që u vihet në barrë, prokurori i shtetit i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Shkupit një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për 10 persona. Njëri nga të dyshuarit tashmë është në paraburgim, ndërsa tre të tjerët nuk janë në dispozicion të organeve të ndjekjes", thonë nga Prokuroria.
Nga PTHP bëjnë të ditur se aktivitetet për këtë aksion ende vazhdojnë.
“Shtekli” njihet për përplasjet e tij me kartelet e drogës. Në gusht dhe tetor të vitit 2023 ai u shpëtoi dy atentateve në Shkup. (Armend Murseli, TVM2)
