Izraeli dhe Hamasi, hyn në fuqi marrëveshja e armëpushimit në Gaza

19.01.2025 19:53

Hyri në fuqi armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit....

Ashtu siç ishte paralajmëruar ashtu edhe ndodhi. Hyri në fuqi armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit. Banorët dolën me entuziazëm në rrugë për të festuar armëpushimin e shumëpritur, me shpresë se pas 15 muajsh vuajtje, paqja do të rikthehet në Gaza.

Konvoji me ndihmën humanitare, automjete ambulantë, dhjetëra punonjës shëndetësorë dhe stafi i "Hënës së Kuqe", kaloi nga pikat kufitare Rafah dhe u drejtua për në Gaza.

Kaluan një vit e gjysmë në mërgim, vuajtëm shumë. Tani, përpjekjet çuan në gëzim për të gjithë në Rafa dhe në Rripin e Gazës. Shpresojmë që ndërprerja e zjarrit do të jetë e përhershme” – tha një banorë i qytetit Gaza.

“Ndjesia ime është lumturi. Ky është realizimi i një ëndrre. Vdiqëm miliona herë. E falenderojmë Allahun që ndërprerja e zjarrit u arrit dhe që mund të kthehemi në shtëpitë tona të sigurt”. – u shpreh një banorë tjetër nga Gaza.

Edhe familjet e izraelitëve të zënë peng mbeten me shpresë që të afërmit e tyre do të kthehen në shtëpi.

“Jam e shqetësuar dhe e brengosur. E brengosur se nuk e di si do të arrijnë dhe në çfarë gjendje do të jenë” – deklaroi një banore e Tel Aviv-it.

Fillimi i armëpushimit u shty përkohësisht pasi Hamas nuk e dorëzoi në kohë listën me pengjet izraelite që duhej të liroheshin.

Pas kësaj, pasuan sulme të reja ndaj Gazës me viktima të reja. Marrëveshja për armëpushim shkaktoi tronditje në qeverinë izraelite, pasi ministri ekstremist i sigurisë kombëtare, Ben-Gvir, si dhe dy ministra tjerë dhanë dorëheqje si shenjë revolte.

Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë. (Armend Murseli, TVM2)