Botë

Spanjë, disa OJQ largohen nga X në shenjë proteste ndaj miliarderit Elon Musk

20.01.2025 09:26

Shumë organizata joqeveritare (OJQ), duke përfshirë grupe ambientaliste...

Shumë organizata joqeveritare (OJQ), duke përfshirë grupe ambientaliste, vendosën të largohen nga X më 20 janar, ditën e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
 
OJQ-të mjedisore si “Greenpeace”, “Miqtë e Tokës” dhe “Ekologët në Veprim” thanë se janë në mesin e “qindra organizatave dhe mijëra njerëzve” që do të largohen nga platforma.
 
Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Spanjolle (CRUE) është ndër shumë organizatat tjera që do të bëjë të njëjtën të hënën.
 
Në një deklaratë, grupet akuzuan miliarderin Elon Musk se e bëri platformën X “një rrezik për demokracinë” duke promovuar diskurse “të bazuara në idetë e së djathtës ekstreme” dhe duke ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, si në Gjermani.
 
“Platformat e mediave sociale nuk kanë qenë kurrë perfekte, por qëndrimi i X është i papranueshëm për një platformë të mediave sociale ku pozicionet e ndryshme duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”, shtuan ata.
 
Miliarderi amerikan, i cili do të shërbejë si këshilltar i presidentit Trump, është kritikuar ashpër për ndërhyrjen e tij në politikën evropiane përmes platformës së tij.
 
Ai ka bërë komente të diskutueshme në lidhje me çështjet politike të vendeve evropiane, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, ndërsa është kritikuar gjithashtu nga struktura politike gjermane për mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) përpara zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani, që do të mbahen në shkurt.
 
Musk, shef ekzekutiv i kompanive Tesla dhe SpaceX, bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë në 2022 dhe ndryshoi emrin në X vitin e ardhshëm.