Botë

Izraeli liroi 90 të burgosur palestinezë

20.01.2025 10:45

90 të burgosurit palestinezë që mbaheshin në një burg izraelit janë liruar si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit...

Nëntëdhjetë të burgosur palestinezë janë liruar si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së shumëpritur të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit. Shumica prej tyre ishin gra dhe fëmijë, të cilët u pritën me përqafime dhe brohoritje pas mbërritjes së tyre në Bregun Perëndimor të okupuar.

Presidenti amerikan në ikje, Xho Bajden, konfirmoi se katër gra të tjera pengje izraelite do të lirohen javën e ardhshme, duke i bërë jehonë asaj që Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë thënë më parë. Shtetet e Bashkuara, së bashku me Katarin dhe Egjiptin, kishin kërkuar të ndërmjetësonin këtë armëpushim prej muajsh. Më herët gjatë ditës, Bajdeni reflektoi mbi marrëveshjen e pengjeve dhe armëpushimit në një nga fjalimet e tij të fundit si president i ShBA-së, duke thënë se Lindja e Mesme është “transformuar thelbësisht”.
 
Po ashtu edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, ka falënderuar kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohamed bin Abdul Rahman Al Thani për rolin e tij kritik në përpjekjet e ndërmjetësimit që kulmuan me armëpushimin.
 
“Sekretari theksoi nevojën për të vazhduar avancimin e planifikimit pas konfliktit për Gazën, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e kryeministrit dhe i uroi atij suksese në përpjekjet e vazhdueshme për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon.”, tha Departamenti i Shtetit i ShBA-së.