Maqedoni

Panairi i Librit 2015 në Shkup, vërejtje për mungesën e gjuhës shqipe në panair

05.05.2015 16:26

Mbi 70 botues nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Serbia, Suedia dhe Italia po marrin pjesë në Panairin e 27-të me radhë të Librit, që po mbahet në Shkup...

Edhe përkundër faktit se një pjesë e madhe e botuesve dhe librave këtu janë të shtëpive botuese shqiptare nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, pllakati për panairin është vetëm në gjuhën maqedonase dhe atë angleze.              
                                                   
Një vërejtje të tillë e theksojnë edhe pjesëmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe qytetarët shqiptarë që vizitojnë panairin.        
                                                            
“Është panairi ndërkombëtar, quhet, dhe një panair ndërkombëtar do të duhej të përfshinte më shumë ndërkombëtaritet, nëse mund të quhet kështu, dhe aq më tepër do të duhej të përfshinte edhe atë që është brenda Maqedonisë, edhe gjuhën shqipe. Unë e vërejta se tash kur ka promovime i bëjnë vetëm në gjuhën maqedonase dhe duhet, mendoj, së paku që duhet të bëjnë edhe në gjuhen shqipe por edhe angleze”- deklaroi Hilmi Zogjani nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.      
                                                                                                  
“E dimë pse ndodhë, unë jam i ndërgjegjshëm. Ata shumë mirë e dinë se në doganë kur vijnë botuesit nga Shqipëria duhet të ketë minimum një shqiptar që të përkthejë. Nuk del shqiptarë, dalin vetëm maqedonas, më duket se është e qëllimtë, por ne i kalojmë me sportivitet këto gjëra”- tha botuesi nga Shqipëria, Apostul Duka.
 
“Kur hyra në fillim te dera pashë se dygjuhësia mungon këtu në panair. Përveç që më thanë ata se kjo është shtëpia botuese, se janë shqiptarë, ata e kanë shqip, si Furkan, Artbox etj”- theksoi një qytetar.
 
Njëherit, lexuesit shprehen të kënaqur me ofertën në këtë panair.        
                 
“Libri është sy, çel sy thonë dhe është jeta e bardhë e njeriut, që duhet me të vërtetë të lexon. Unë kam marrë një botim këtu, është fetar”- u shpreh një qytetar.                                                                                   
Në panair po merr pjesë edhe Fondacioni “Dauti”, me qëllim që mjetet e mbledhura nga librat e shitur të ndahen për qëllime humanitare.      
                                                 
“Këtë vit, si risi vendosëm që të marrim pjesë në Panairin e Librit, në kuadër të një fushate e cila quhet ‘blej një libër dhuro një buzëqeshje’. Arsyeja pse morëm pjesë në këtë panair është, njëra prej tyre, që të promovojmë librat të cilët i kemi botuar, mirëpo arsyeja kryesore është se të gjitha mjetet të cilat do të fitohen gjatë këtij panairi, do të shkojnë për familjet në nevojë”- theksoi Elmedina Asani nga Fondacioni “Dauti”.                                  
 
Në panair është hapur edhe ekspozitura me botime nga autorët suedezë.
 
Ndërsa, siç njoftojnë nga Ambasada suedeze, nesër është paraparë të jetë i pranishëm në panair edhe ish diplomati suedez në Maqedoni, njëherit edhe shkrimtar, Andreas Norman, i cili do të ligjërojë në temën: “Çka është e nevojshme të shkruhet në triler”.  
 
GYLTENE SINANI