Maqedoni
Arsim, filloi gjysmëvjetori i dytë 2024/2025
20.01.2025 13:46
Filloi sot gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme...

Pas pushimit tre javor të dimrit, sot për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme filloi gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2024/2025. Drejtoresha e shkollës fillore “Adem Jashari”, Fitore Qirezi, tha se janë të përgatitur të vazhdojnë me programet që i kanë duke rritur cilësinë e mësimdhënies përmes metodave inovative.
“Ne si staf jemi të përgatitur të vazhdojmë me programet tona përballë sfidave që na paraqiten. Edhe për nxënësit gjithashtu ishte dita e parë dhe besoj që të gjithë jemi të përkushtuar dhe të përgatitur për një gjysmëvjetor të mbarë. Na mbetet të fokusohemi në rritjen e cilësisë së mësimdhënies përmes metodave inovative, bashkëpunim të vazhdueshëm, siç e kemi pasur në gjysmëvjetorin e parë, bashkëpunim me pridë, ngritja e cilësisë, planifikimet, pjesëmarrja nëpër gara.”, - deklaroi drejtoresha në Sh.F. “Adem Jashari”, Fitore Qirezi.
Edhe nxënësit e kësaj shkolle shprehen të gatshëm për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
“Po, sot fillojmë gjysmëvjetorin e dytë. Kemi pushuar, tash fillojmë me mësime, ta shohim arsimtarët çfarë do të na japin për të mësuar, të jemi të rregullt, të mundohemi më mirë me notat.”, - tha një nxënës.
“Po, filluam. Me shokët dhe shoqet kaluam mirë se na kish marrë malli të shihemi. Do të mundohem të mësoj më shumë dhe të forcohem dhe t’i marr notat e mira.”, - tha një nxënës tjetër.
Edhe nga MASh-i uruan një gjysmëvjetor të mbarë.
“Dua që t’ua uroj edhe fillimin e mbarë nxënësve, të punësuarve në arsim në gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor. Gjatë asaj kohe kemi qenë aty për t’u përgjigjur të gjitha kërkesave dhe nevojave që kanë lindur ose që ka pasur thuajse çdo institucion shkollor.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
Viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor për të gjithë nxënësit, përveç për maturantët, të cilët sipas kalendarit për organizim të vitit shkollor në shkollat e mesme publike, do të mësojnë deri më 16 maj.
VLORA LATIFI TOPOJANI
