Maqedoni
Rritet numri i të prekurve nga gripi, situata është në kontroll
20.01.2025 14:14
Gripi sezonal ka mbushur pothuajse të gjitha ambulancat dhe spitalet në vendin tonë....

Gripi sezonal ka mbushur pothuajse të gjitha ambulancat dhe spitalet në vendin tonë. Nga dita në ditë rritet numri i pacienteve të prekur nga gripi që kërkojnë ndihmë, ndërsa më të prekur janë fëmijët dhe më të moshuarit. Në Klinikën e Fëmijëve në Kozle po kryhen rreth 200 kontrolle në ditë, ndërsa në Klinikën e Fëmijëve “Nënë Tereza”, diku rreth 160. Gripi shumë shpejt po përhapet, por situata është brenda pritshmërive për këtë periudhë të vitit, thotë edhe drejtori i Klinikës Infektive, Fadil Cana.
“Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në ambulancën në Klinikën Infektive është në rritje e sipër, mirëpo është brenda pritshmërive brenda sezonit, që tregon se kjo situatë është e menaxhueshme dhe e zakonshme për këtë periudhë të vitit. Mund të them se numri i hospitalizimeve nuk është i madh, por është në kuadër pritshmërive gjatë gripit sezonal.”, - deklaroi drejtori i Klinikës Infektive në Shkup, Fadil Cana.
Piku, në fund të shkurtit
Epidemiologu, Dragan Danilovski, thotë se për momentin nuk ka vend për panik, është duke u rritur numri i infektimeve, mirëpo piku i gripit pritet deri në fund të muajit shkurt.
“Është e zakonshme që në vendin tonë në periudhën e dimrit, infeksionet e traktit respirator të rriten, pra asgjë e jashtëzakonshme nuk po ndodh dhe nuk ka vend për panik. Pikun e virusit e presim diku nga pjesa e dytë të muajit shkurt, mandej pritet që shpërndarja e virusit të ulet nga muaji mars, prill dhe muaji maj dhe vlerësoj se tani për tani nuk janë të nevojshme kufizime.”, - deklaroi epidemiologu, Dragan Danilovski.
Një pjesë e të hospitalizuarve me gripin sezonal janë më të moshuarit dhe pacientët me sëmundje kronike dhe imunitet të dobët.
REXHEP QAMILI
