Botë
Shoqata “Miqtë e Amerikës”, Kosova, me sy e veshë, drejt Uashingtonit
20.01.2025 14:41
Me vëmendje të madhe, ceremonia e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Tramp...

Me vëmendje të madhe, ceremonia e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Tramp, po ndiqet edhe në Kosovë. Shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka vendosur flamurin amerikan te shtatorja e ish-presidentit, Bill Klinton. Ndërsa kryetari i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, tha se populli i Kosovës, në veçanti populli shqiptar, di të respektojë aleatët, di të respektojë ShBA-në dhe të vlerësojë veprimet e bëra, jo vetëm gjatë kohës se fundit, por gjatë historisë që kanë bërë për Kosovën e Shqipërinë.
“Shpresoj që presidenti Tramp do ta vazhdojë politikën e të gjithë atyre presidentëve të ShBA-së, pavarësisht nëse kanë qenë demokrat apo republikan, pro interesave të popullit shqiptar. Shpresoj që presidenti Tramp do ta vazhdojë veprimin e jashtëzakonshëm politik sa ishte president nga e kaluara, ku nëpërmjet tij arritëm ta sigurojmë një njohje të jashtëzakonshme, që ishte Izraeli.”, - deklaroi kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi.
Përveç aktiviteteve në Kosovë, në inaugurimin e presidentit Tramp do të ketë edhe politikanë e biznesmenë nga Kosova, duke përfshirë ish-presidentin, Behgjet Pacolli; ish-kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, e kanë uruar presidentin Tramp për fitoren, duke e cilësuar ShBA-në si një aleate, mike dhe partnere të rëndësishme të Kosovës. Ndërsa pas vizitës së zëvendëssekretarin amerikan, Riçard Verma, para dhjetë ditësh presidentja Vjosa Osmani bëri të ditur se Kosova dhe ShBA-ja do të finalizojnë së shpejti një marrëveshje për dialog strategjik.
Gjatë mandatit të parë, më 4 shtator të vitit 2020, në prani të presidentit Tramp, në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, e cila pas largimit të presidentit Tramp nuk u zbatua.
GYLTENE SINANI
