Maqedoni
Rasti "Grubi", Kocevski: Prokurorët vazhdojnë procedurën
20.01.2025 14:57
Prokurori shtetëror publik Lupço Kocevski thotë se procedura për Artan Grubin, vazhdon edhe më tutje...

Kryeprokurori, Ljupço Kocevski, njofton se edhe përkundër asaj që ish-zëvendëskryeministri i dyshuar për korrupsion, Artan Grubi, ndodhet në arrati, prokurorët po vazhdojnë procedurën ndaj tij.
“Sa i përket Artan Grubit, opinioni e di që ka urdhërarrest ndërkombëtar. Megjithatë, prokurorët publik edhe më tej ndërmarrin masa sa i përket procedurës, kështu që pa marrë parasysh që është në arrati Artan Grubi dhe i dyshuari tjetër, procedura vazhdon dhe publiku do të informohet në kohë për këtë lëndë.”, - deklaroi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
Vendosja e Enver Bexhetit në listën e zezë, Kocevski: Zhvillohet procedurë parahetimore
I pyetur se ka procedurë kundër gjyqtarit Enver Bexheti, i cili është vendosur në listën e zezë amerikane, Kocevski u përgjigj se rasti është në procedurë parahetimore dhe do të shikojnë se si do të rrjedhë procedura.
“Së bashku me atë lëndë që ka të bëjë edhe me gjykatësin, edhe për Artan Grubin dhe eventualisht për ndonjë të përfshirë tjetër potencial, po zhvillohet procedurë parahetimore, po mblidhen dëshmi. Edhe në këtë lëndë publiku do të njoftohet.”, - theksoi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.
Sa i përket Drin Ahmetit, Kocevski njoftoi se ndaj tij zhvillohen dy procedura, njëra që ka të bëjë me qendrën tregtare "Soravia" dhe tjetra për gërmimin e mineraleve natyrore.
FLORIJE KAMBERI
