FSSh, 46 stacione farmaceutike në zonat rurale

05.05.2015 16:40

46 fshatra përmes projektit “Stacione farmaceutike në vendbanimet rurale” do të kenë qasje më të lehtë deri tek sigurimi i barërave, që janë në ngarkesë të Fondit për Sigurim Shëndetësor, njoftuan nga ky institucion...

Me këtë qytetarëve do t’u kursejmë mjete dhe kohë sa u përket furnizimit me barnat e domosdoshme, thonë nga Fondi Shëndetësor.

Disa vendbanime asnjëherë nuk kanë pasur barnatore në afërsi dhe janë detyruar të udhëtojnë për t’i siguruar barnat e përshkruara me recetë. Disa nga stacionet farmaceutike tanimë janë të hapura, ndërsa disa janë në procedurë.

“Me stacionarin farmaceutik do të përfshihen më shumë se 90 mijë qytetarë që jetojnë në vendet rurale. Gjithsej janë paraparë 46 stacione farmaceutike, të gjitha janë nënshkruar përveç njërës, e cila është në procedurë”- deklaroi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Orhan Ramadani.

Disa nga fshatrat ku do të ketë stacione farmaceutike janë: fshati Jabollçishtë e Epërme, Buzallakovë, Çajle, Zdunjë, Vrapçisht,Llopat, Likovë, Inxhikovë, fshati Veleshtë, Radolishtë, fshati Nerasht, Pallaticë dhe Zherovjan etj. Mjetet që fondi ka paraparë për gjithsej 46 stacionarët farmaceutik arrijnë shumën prej 31,4 milion denarë në nivel vjetor. FShM, në nivel vjetor ndan shumë të konsiderueshme prej 2,5 miliardë denarë për barnat e qytetarëve, të shpërndara në 750 barnatore dhe në 46 stacione farmaceutike. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)