Maqedoni
Inaugurimi i presidentit amerikan, Tramp, marrin pjesë delegacioni shtetëror dhe figurat tjera
20.01.2025 15:35
Në inaugurimin e presidentit amerikan po merr pjesë edhe një delegacion nga Maqedonia e Veriut...

Në inaugurim të presidentit amerikan, Donald Tramp, në SHBA, si delegacion qeveritar qëndrojnë kryeministri, Hristijan Mickoski; ministri i Jashtëm, Timço Mucunski; zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti dhe zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov.
Kryeministri Mickoski, gjatë qëndrimit të tij atje, ka realizuar takim me Devin Nunes, kryesues i organit këshillëdhënës të inteligjencës së presidentit, Donald Tramp, me drejtorë ekzekutiv, biznesmenë amerikanë dhe pronarë të disa kompanive multimilionëshe. Përveç temave ekonomike, mes tjerash Mickoski në ShBA ka lobuar edhe për çështjet e rëndësishme shtetërore dhe shoqërore.
“Biseduam për mundësinë e investimeve në Maqedoni, për projekte konkrete nga të cilat do të përfitojnë qytetarët. Mes tjerash theksova përpjekjet që Qeveria i bën për stabilizimin e ekonomisë, rekordin që kemi arritur në tërheqjen e investimeve në vend dhe përfitimet që ofrohen. Njëherit, shfrytëzova rastin të loboja për interesat dhe pozicionin e Maqedonisë lidhur me çështjet kyçe për ne. Bëhet fjalë për njerëz me pozita të larta në shoqërinë amerikane me mundësi për të ndikuar në çështje të rëndësishme për ne.”, ka shkruar në Fejsbuk kryeministri, Mickoski.
Jashtë delegacionit qeveritar, në inaugurim kanë njoftuar se do të marrin pjesë edhe kreu i Kuvendit, Afrim Gashi; kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ministër i Shëndetësisë; Arben Taravari dhe kreu i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
