Botë
Dita e parë pas marrëveshjes Hamas – Izrael, Gaza e qetë, banorët kthehen në vendbanime, lirohen 90 të burgosur palestinezë
20.01.2025 17:29
Po rikthehen në vendbanimet e tyre, mirëpo në shtëpi të shkatërruara...

Po rikthehen në vendbanimet e tyre, mirëpo në shtëpi të shkatërruara nga bombardimet izraelite. Pas zyrtarizimit të marrëveshjes mes Hamasit dhe Izraelit, mëngjesi i kësaj të hëne ishte i qetë.
Filloi me shkëmbimin e tre pengjeve të para izraelite në këmbim të nëntëdhjetë të burgosurve palestinezë, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë, të cilët u pritën me përqafime dhe brohoritje pas mbërritjes së tyre në Bregun Perëndimor të okupuar.
“U tronditëm kur pamë gjendjen e këtij vendi. Nënat po përpiqen të pajtohen, fëmijët po përpiqen të adaptohen.”, - tha një banore e Gazës.
Ushtria izraelite pavarësisht marrëveshjes, shprehin gatishmëri për t’iu përgjigjur sfidave, të cilat mund të paraqiten.
“Ka rreziqe dhe sfida në këtë marrëveshje. Ne jemi të gatshëm dhe dimë t'u përgjigjemi të gjitha sfidave, dimë të kthehemi dhe të luftojmë, të qëndrojmë në mbrojtje të të gjitha qëllimeve të luftës.”, - deklaroi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Por, nga ana tjetër, edhe Hamasi kërcënon. Paralajmëron se çdo shkelje e kushteve mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e pengjeve.
“Ne shpallim përkushtimin tonë ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe gatishmërinë tonë për të zbatuar dispozitat e saj dhe për t'iu përmbajtur kushteve të saj, por theksojmë se e gjithë kjo varet nga përkushtimi i armikut.”, - theksoi zëdhënësi i Brigadave Kasam, krahu ushtarak i Hamasit, Abu Obeida.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se më shumë se 630 kamionë me ndihma humanitare hynë në Rripin e Gazës në ditën e parë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.
ARMEND MURSELI
