Botë
Trampi fal mbi 1.500 persona, ishin të akuzuar për revoltën në Kapitol
21.01.2025 10:32
Pak orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp...

Pak orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva për të vendosur vulën e tij mbi administratën e re amerikane, në çështje që përfshijnë energjinë, faljet penale dhe imigracionin.
Veprimi i Trampit, vetëm disa orë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, hap rrugën për lirimin nga burgu të atyre që janë shpallur fajtorë për sulme të dhunshme ndaj policisë, si dhe drejtuesve të grupeve ekstreme të djathta të dënuar për komplotet e dështuara për të mbajtur në pushtet republikanin pasi humbi zgjedhjet e 2020-ës ndaj ish-presidentit, Xho Bajden. Menjëherë pas betimit të tij si president, autoritetet kufitare të ShBA-së pezulluan një program që lejonte qindra mijëra emigrantë të hynin ligjërisht në ShBA përmes planifikimit të një takimi përmes një aplikacioni në telefon.
Afro 1.660 afganë që ishin miratuar nga Qeveria amerikane për të emigruar në ShBA, përfshirë anëtarë të familjeve të personelit ushtarak amerikan aktiv, panë se fluturimet e tyre u anuluan si pasojë e një urdhri të Trampit që pezullonte programet e refugjatëve në ShBA, tha një zyrtar amerikan dhe një avokat për zhvendosjen e refugjatëve. Në Shtëpinë e Bardhë, Trampi nënshkroi edhe një urdhër që shpallte emergjencë kombëtare në kufirin ShBA-Meksikë, që do të çlironte fonde dhe do t’i lejonte atij të dislokonte trupa atje.
Ai nënshkroi një urdhër për t’i dhënë fund një politike që u jep shtetësinë atyre që lindin në Shtetet e Bashkuara, një veprim që me siguri do të shkaktojë një betejë të gjatë ligjore. Një urdhër tjetër tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke deklaruar se agjencia globale e shëndetësisë kishte keqmenaxhuar pandeminë e Kovid-19 dhe kriza të tjera ndërkombëtare të shëndetit.
