Maqedoni
Plenumi i Nxënësve, nxënësit do të paraqesin maturën
05.05.2015 16:55
Bojkoti i Plenumit të Nxënësve të Shkollave të Mesme po intensifikohet...

Nxënësit dy ditë me radhë, duke filluar nga dita e nesërme, do të bllokojnë rrugën para ministrisë me fillim prej orës 17.
Ata thonë se maturantët do të mbushin fletëparaqitjet për t’iu nënshtruar testimit ekstern, por bojkoti do të vazhdojë me protestë të qetë, duke dëshmuar se kjo betejë do të vazhdojë.
“Kemi marrë ultimatum që t’i nënshkruajmë këto fletëparaqitje. Ky proces nuk po ndodh me fajin tonë, ne ishim në dispozicion të MASh-it për të negociuar. Edhe pse janë këto fletëparaqitjet e katërta me radhë dhe MASh-i mendon se nëse maturantët i nënshkruajnë këto fletëparaqitje do të arrihet kompromis, ne themi të kundërtën, se për dallim nga MASh-i, ne jemi më të logjikshëm, duam të kalojmë maturën në kohë”- deklaroi Kalina Preliq nga Plenumi i Nxënësve.
Sipas Plenumit të Nxënësve, shqetëson fakti se civilë, të cilët paraqiten si inspektorë, ushtrojnë presione në shkolla, duke kërkuar të dhëna personale nga nxënësit.
“Civilët, të cilët prezantohen si inspektorë, hynë në shkolla dhe i frikojnë nxënësit me dënime në të holla deri më 2000 euro, marrin numrin amë, të dhënat e prindërve dhe adresën, dhe këto presione ua bëjnë nxënësve që janë të mitur”- tha Gjorgji Stavriq nga Plenumi i Nxënësve.
Sipas Plenumit të Nxënësve, 25 ditë nxënësit mungojnë në bankat shkollore dhe dy javë kalojnë natën në parkun para MASh-it. Bojkoti do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Deri më tani 10 mijë qytetarë janë nënshkruar në peticionin për përkrahjen e Plenumit të Nxënësve.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme nga MASh-i u bë e ditur se do të kthehet koncepti i vitit të kaluar të maturës shtetërore, matematika të mos të jetë e obligueshme, të kthehet koncepti letër-laps.
Për sa i përket notimit ekstern, ai ka filluar të realizohet dhe nxënësit janë nënshtruar të njëjtit, nëse ndryshojmë konceptin, atëherë do të ishin në pozicion jo të barabartë nxënësit që më herët janë nënshtruar këtij testimi.
MASh-i mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjitha grupet për avancimin e arsimit në Maqedoni dhe notimin ekstern.
FLUTURA LATIFI
