Botë
Tiranë, 14 vite nga protesta e dhunshme e 21 janarit
21.01.2025 15:09
Sot shënohen 14 vite nga protesta e dhunshme e 21 janarit 2011, kur 4 protestues u vranë nga plumbat e shtetit...

Sot shënohen 14 vite nga protesta e dhunshme e 21 janarit 2011, kur 4 protestues u vranë nga plumbat e shtetit, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” familjarët kujtuan të afërmit që humbën jetën padrejtësisht, ndërsa merrnin pjesë paqësisht në një protestë kundër pushtetit të Sali Berishës. Në krah të familjarëve e në mungesë të kryeministrit Rama, qëndronte zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku; kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali; ministra e deputetë.
Rama e ndau mesazhin nga Zvicra ku po merr pjesë në forumin ekonomik të Davosit.
“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Thirrjet për drejtësi i përsëritën në rrjetet sociale edhe zyrtarë të tjerë, të cilët bashkë me mesazhin shpërndajnë edhe atë që konsiderohet prova më e madhe e SPAK-ut, audiokomunikimin e Gardës së Republikës, 21 janarin e përgjakshëm të 14 viteve më parë.
“Me të kaluar gardhin e telave, do të hapni zjarr luftarak! Ky është urdhri! Ta, ta, ta gjakos, gjakos!”.
Vetë Berisha akuzoi Ramën se po e përdor këtë fatkeqësi për hetim politik.
LULJETA NDOKA
