Maqedoni
Iniciativa “Tre detet”, Azeski: Fillimisht duhet t’i rregullojmë punët këtu
21.01.2025 15:23
Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet “vrimë e zezë” në Evropë....

Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet “vrimë e zezë” në Evropë. Ky është një ndër konstatimet e thëna në panel-diskutimin kushtuar iniciativës “Tre detet”, e cila mundëson zhvillim më të madh ekonomik. Sektori i biznesit në vend propozon zonë të lirë për transport dhe shkëmbim më të shpejtë të mallrave për vendet që nuk kanë det. Është e mirë dhe më se e domosdoshme për t’iu bashkangjitur kësaj iniciative, por para kësaj, vlerësojnë përfaqësuesit e Odave Ekonomike, duhet fillimisht të kryhen detyrat e shtëpisë për të parandaluar korrupsionin, të bëhet gazifikimi, të rritet standardi jetësor, si dhe të ketë produktivitet dhe inovacione më të mëdha në tregjet e reja.
“Ne mund të flasim për iniciativa të ndryshme rajonale, mirëpo për t’iu kontribuar këtyre proceseve fillimisht duhet t’i rregullojmë punët këtu, në shtëpi, dhe ato janë thënë në disa dokumente prioritare, lufta kundër korrupsionit dhe ekonomisë së zezë, gazifikim i shpejtë në vend, hapja e tregjeve të reja, veprimi i përbashkët rajonal, mbrojtja e fitimit të sektorit të biznesit, rritja e standardit jetësor të qytetarëve dhe të gjitha këto janë të pamundshme pa pasur rritje të eksportit të mallrave tona.”, - deklaroi kryetari i Odës Ekonomike e RMV-së, Branko Azeski.
Dimitrovski: Bashkërisht të ecin drejt BE-së
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Zoran Dimitrovski, thotë se kjo është e mundur edhe përmes përshpejtimit të procesit eurointegrues të vendit, me diplomaci më të madhe ekonomike dhe infrastrukturë më të mirë.
“Të gjitha këto iniciativa rajonale kanë për qëllim që të ketë kufi të hapura dhe lëvizje më të shpejtë të mallrave dhe shërbime në kushte kur e gjithë Evropa po ballafaqohet me pasojat e krizës ekonomike, energjetike dhe luftarake. Vendet e rajonit janë në mënyrë natyrale të lidhura njëra me tjetrën dhe kanë qëllim të përbashkët bashkërisht të ecin drejt BE-së.”, - theksoi zëvendësministri i MPJ-së, Zoran Dimitrovski.
Iniciativa “Tre detet” është e formuar në vitin 2014. Në të janë bashkëngjitur gjithsej 13 vende të Evropës, ndërsa nga rajoni marrin pjesë Kroacia dhe Sllovenia. Kjo iniciativë nuk është paralele me BE-në, por është plotësim për lehtësimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik.
REXHEP QAMILI
