Maqedoni
Ngërçi politik, Xhaferi dhe Grubi takojnë Vajgëll dhe Kukan
05.05.2015 17:01
BDI realizon takime në Bruksel, si shkak është ngërçi aktual politik në vend...

Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, dhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi, në Parlamentin Evropian takuan europarlamentarët, Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan.
Përfaqësuesit e BDI-së para eurodeputetëve paraqitën situatën aktuale politike në vend dhe qëndrimet e BDI-së mbi këtë çështje. Sipas zëvendëskryeministrit Xhaferi, kyçja e BDI-së në bisedime është e domosdoshme, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Është me rëndësi të veçantë përfshirja, gatishmëria dhe domosdoshmëria e përfshirjes së BDI-së në dialog, për shkak të peshës së saj politike. Të japim kontributin tonë që të shpëtojmë vendin tonë nga një stagnim, i cili nëse zgjat shumë mund të rrezikon stabilitetin e vendit tonë”- deklaroi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Vajgëll dhe Kukan përshëndesin rolin konstruktiv të BDI-së për tejkalimin e ngërçit politik. Gatishmëria dhe mirëkuptimi për kyçjen e BDI-së në bisedime ekziston në Bruksel, thonë nga partia e Ahmetit. Por, në takim nuk është thënë me saktësi formati i palëve negociatore në takimet e radhës.
“Siç u theksua në takimin me zotin Vajgëll, se RM-ja paraqet një vend, një formë asimetrike, ku shqiptarët dhe maqedonasit, të përfaqësuar nëpërmjet subjekteve të tyre politike, duhet të bëjnë një kompromis për tejkalimin e situatës aktuale politike për arsye se në fund të vitit ne minimalisht do të duhet të ruajmë rekomandimin për fillimin e bisedimeve me BE-në”- tha zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Delegacioni i lartë i BDI-së do të realizojë takime edhe në Komisionin për Fqinjësi dhe Zgjerim, si dhe në Shërbimin për Politikë të Jashtme të BE-së.
MERAL ISMAILI
