Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, Licencat dhe provimet në gjuhën shqipe

21.01.2025 17:09

Licencat për kujdestarë dhe edukatorë të fëmijëve...

Licencat për kujdestarë dhe edukatorë të fëmijëve nëpër institucione të përkujdesjes, krahas gjuhës maqedonase do të jepen edhe në gjuhën shqipe, ndërkaq provimi do të jepet në gjuhën shqipe me kërkesë të aplikuesit.

Ndryshimet ligjore u miratuan në Kuvend me ndërhyrje të dy amendamenteve të VMRO-DPMNE-së.

Katër iniciativat e tjera të LSDM-së dhe “Së Majtës” u refuzuan. Sipas VMRO – DPMNE-së mbi 2.500 persona presin për të marrë licencë për t’u punësuar nëpër kopshte.

“Licenca jepet në gjuhën maqedonase, por nëse aplikuesi flet gjuhën të cilën e flasin 20% e qytetarëve, me kërkesë të tij i jepet licencë në gjuhën maqedonase dhe gjuhën të cilën flet personi. Ky është amendamenti që ne propozojmë në përputhje me nenin pesë të Kushtetutës.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.

Licencat dygjuhësore “përplasën” deputetët

Votimit i parapriu debat i ashpër i nxitur nga deputeti i “Së Majtës”, Dimitar Apasiev, i cili tha se Maqedonia nuk është vend dygjuhësor dhe me ligjin po zbatohet Platforma e Tiranës.

“Përse dikujt t’i jepet vërtetim vetëm në gjuhën shqipe për marrjen e licencës, përse jo të mos jepet edhe në gjuhën turke, rome, serbe. Ne nuk jemi shtet binacional. Nëse jemi shtet multietnik, do të jetë e të gjithëve, e jo vetëm në dy gjuhë.”, - theksoi deputeti i “Së Majtës”, Dimitar Apasiev.

Deklarimin e tillë, koalicioni VLEN e cilëson si përçarës, ndërkaq licenca në gjuhën shqipe është e drejtë e merituar e çdo aplikuesi shqiptar.

“Ti nuk humb asgjë nëse unë fitoj një copëz të drejte. Shqiptarët përse mos të kalojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe? Nga e keni këtë frustrim dhe energji naciste, që e përhapni nga kjo foltore?”, - u shpreh Halil Snopçe nga koalicioni VLEN.

Socialdemokratët, pesimist se procesi i licencimit do të shkojë pa probleme. Ndërkaq nga Fronti Evropian nuk përkrahën asnjë nga amendamentet me vlerësimin se po manipulohet në kurriz të shqiptarëve.

Licencat dygjuhësore, në kuadër të ligjit për mbrojtje të fëmijëve pas votimit të parë në dhjetor u kontestuan nga presidentja e shtetit me arsyetimin se janë në kundërthënie me Kushtetutën. Tanimë me miratimin në lexim të tretë, presidentja obligohet të firmosë dekretin. (Meral Ismaili, TVM2)