S’ka terapi biologjike në Onkologji, Shoqata “Hema-Onko” kërkon masa urgjente
Pacientët në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë....

Pacientët në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë po ballafaqohen me një problem serioz dhe shqetësues. Ata kanë mbetur pa terapi biologjike. Kanë mungesë të barnave si atezolizumab, bevacizumab, palbociclib, ribociclib e të tjera.
Këto barna janë “jetë” për pacientët me kancer metastatik.
Nga Shoqata “Hema-Onko” apelojnë deri tek Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi Shëndetësor, që urgjentisht të gjejnë zgjidhje dhe të ndërmarrin masa për t’i siguruar këto barna të nevojshme.
"Kemi përgatitur letra drejtuar Fondit dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të tentuar që të gjejnë mjete dhe të aprovohen fonde për Onkologjinë, në mënyrë që kjo terapi të mund të sigurohet më shpejt. Le të shpresojmë se do t’i kushtojnë vëmendje dhe do të dalin në ndihmë, pasi pritja nuk i shërben askujt.", - deklaroi Ana Marjanoviq nga Shoqata “Hema-Onko”.
Onkologjia: Fajtor, menaxhimi i mëparshëm
Ndërkohë që nga Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji bëjnë të ditur se mungesa aktuale e terapisë biologjike është rezultat i procedurave administrative të menaxhimit të mëparshëm, të cilët nuk kanë parashikuar mjete buxhetore për vitin 2024 aq sa duhet, duke marrë parasysh nevojat dhe rritjen e vazhdueshme të numrit të pacientëve onkologjikë, sipas tyre po merren të gjitha masat e nevojshme për tejkalimin e këtij problemi.
“Po merren masa për përmirësimin e planifikimit të prokurorimit dhe lehtësimin e procedurave tenderuese me Fondin Shëndetësor dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Qëllimi ynë është të sigurojmë një furnizim në kohë dhe të vazhdueshëm me terapi për pacientët tanë dhe kemi besim se mungesa aktuale do të tejkalohet sa më shpejt të jetë e mundur.”, thuhet në kumtesën e Klinikës për Radioterapi dhe Onkologji.
LSDM: Qeveria, e papërgjegjshme
Lidhur me këtë kanë reaguar nga LSDM-ja opozitare. Kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për të siguruar terapinë e nevojshme për të gjithë pacientët
“A ka të paktën pak përgjegjësi kjo Qeveri që shpenzon paratë publike për mobilie, makina dhe luks, e nga ana tjetër rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve? Qeveria në vend se të sigurojë financim dhe planifikim me kohë të prokurorimit, lejon mungesë të barnave esenciale dhe i lë pacientët në mëshirën e opinionit.”, - thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Në vitin 2023, në Klinikën e Onkologjisë shpërtheu skandali për keqpërdorimet e terapisë së pacientëve të sëmurë me kancer dhe rishitjen e terapisë biologjike në tregun e zi. U zbulua rrjeti për rishitjen e barnave të shtrenjta – citostatikëve, ku u dyshua se janë përfshirë disa mjekë dhe personel mjekësor të Klinikës.
Hetimet për këtë çështje janë ende në zhvillim e sipër dhe janë duke u hetuar pesë persona nga kjo klinikë. (Armend Murseli, TVM2)
