Botë
Trampi merr vendimet e para, fal mbi 1.500 të akuzuar në trazirat e 6 janarit, pezullon të gjitha programet e ndihmës së huaj
21.01.2025 18:07
Pak orë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp...

Pak orë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva për të vendosur vulën e tij mbi administratën e re amerikane, në çështje që përfshijnë energjinë, faljet penale dhe imigracionin.
Në mesin e urdhrave të parë ishte një falje e përgjithshme e mbi 1.500 personave të akuzuar për krime në trazirat e 6 janarit të vitit 2021 në Kapitolin e ShBA-së. Trampi nënshkroi edhe një urdhër ekzekutiv që pezulloi përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të ShBA-së për 90 ditë, në pritje të një shqyrtimi për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.
Si pasojë, Trampi tha se “asnjë ndihmë e mëtejshme e ShBA-së për jashtë nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara.”.
Trampi ka qenë kritik ndaj shumës së dërguar në Ukrainë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes nga Rusia. Disa nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës amerikane, Izraeli me 3.3 miliardë dollarë në vit, Egjipti me 1.5 miliard dollarë në vit dhe Jordania me 1.7 miliard në vit besohet se do të shohin ulje dramatike në financim.
“Në vend se të donojmë nga qytetarët tanë e t’i pasurojmë shtetet tjera, do të mundohemi t’i doganojmë shtetet tjera dhe t’i pasurojmë qytetarët tanë. Asnjëherë më fuqinë e madhe të shtetit tonë të na e shfrytëzojnë si armë të politikës kundërshtare, unë e di shumë mirë se si duket ajo. Prapë për të do të bëjmë një luftë të madhe që bota asnjëherë nuk e ka parë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Gjendje emergjente kombëtare në kufirin jugor
Pas betimit të tij, autoritetet kufitare të ShBA-së pezulluan një program që lejonte qindra mijëra migrantë të hynin ligjërisht në ShBA përmes planifikimit të një takimi përmes një aplikacioni në telefon. Takimet ekzistuese u anuluan. Një urdhër tjetër ekzekutiv shpalli kartelet e drogës meksikane si organizata terroriste.
“Si fillim, do të propozoj gjendje emergjente kombëtare në kufirin tonë jugor. Të gjithë që kanë hyrë ilegalisht do të ndalohen dhe do të fillojmë proces për dëbimin e miliona e miliona kriminelë dhe të huaj nga kanë ardhur. Do ta rikthejmë politikën time “Kthehu në Meksikë”.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Një urdhër tjetër tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke deklaruar se agjencia globale e shëndetësisë kishte keqmenaxhuar pandeminë e Kovid-19 dhe kriza të tjera ndërkombëtare të shëndetit. Plani, që përputhet me kritikat e vazhdueshme të Trampit ndaj agjencisë shëndetësore të OKB-së, përfaqëson një ndryshim dramatik në politikën globale të shëndetit të ShBA-së.
FITORE DEMOLLI
