Maqedoni
“Bomba” e 29-të, materiale mbi vrasjen e Martin Neshkovskit
05.05.2015 17:18
Vrasja e 21 vjeçarit, Martin Neshkovskit, në mbrëmjen kur VMRO-DPMNE festonte fitoren në sheshin e Shkupit, ishte në fokusin e “bombës” së 29-të të LSDM-së.,,

Lideri i kësaj partie, Zoran Zaev, thotë se nga bisedat e përgjuara dëgjohet dhe kuptohet se si kryeministri, Nikolla Gruevski, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, kanë fshehur të vërtetën për vrasjen e Neshkovskit. Sipas socialdemokratëve, në një bisedë të Mijalkovit kuptohet se Igor Spasov ka qenë në detyrë kur e ka kryer vrasjen.
Në një bisedë tjetër, Urko i pranon Jankullovskës se vrasja është bërë. Ndërsa Jankullovska dhe Protugjer nuk janë shqetësuar për vrasjen dhe fshehjen e rastit, por vetëm për atë se rasti ka dalë në media, thotë Zaev, sipas të cilit, pushteti i Gruevskit ka bërë çdo gjë me qëllim që ta fsheh të vërtetën, është fshehur interesi partiak, njerëzit e policisë, interesi i Jankullovskës dhe Gruevskit.
“Opinioni do të mësojë se edhe vetë kryeministri Gruevski e ka ditur se kush e ka bërë vrasjen dhe kush e ka fshehur. E ka ditur se struktura të MPB-së kanë krijuar informata dhe kanë bërë raporte të rrejshme policore. Gruevski në vend që të kërkojë zbardhje të rastit, është lëshuar në mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të tij, që ta fsheh lëkurën e tij. Gruevski i ka gënjyer familjarët dhe të gjithë qytetarët. Gruevski është munduar që ta fsheh të vërtetën për Martin Neshkovskin dhe në fund Gruevski dikton mbylljen e procesit, sigurimi i tij të shpëtojë. Polici Spasov nuk ka qenë në detyrë dhe sikur vetë ta ketë shkruar edhe gjykimin”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Lideri i LSDM-së, Zaev, tha se Gordana Jankullovska dhe Nikolla Gruevski duhet të bartin përgjegjësi për mbulimin e vrasjes së Neshkovskit. Ai gjithashtu ftoi policët që të mos lejojnë edhe ata të bëhen viktima. Duke folur mbi bashkimin e frontit opozitar, Zaev tha se ky proces ka filluar që në vjeshtë dhe ka për qëllim shpëtimin e Maqedonisë.
“Një koalicion i madh mes qytetarëve. Janë qytetarët ata që do të kthejnë lirinë në Maqedoni. Kryeministri deklaroi se nuk do të tërhiqet, por do të shkarkojë të tjerë. Kur një lokomotivë e vjetërsuar me vagonë, që nuk ndërrohen vagonët. Lokomotiva është vjetërsuar. Kjo është parti demokratike dhe gjithsesi se ne mburremi me mendimet e ndryshme. Ndoshta u mësuam me sistemin autokratik që është vendosur te kundërshtari ynë. Prej këtu thirrja nuk duhet të jetë vetëm ndaj Branko Cërvenkovskit, por ndaj të gjithëve. Do t’i heqim simbolet partiake, do të jemi thjeshtë participientë”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev, edhe një herë ripërsëriti se do të vazhdojnë të luftojnë për një Maqedoni demokratike.
SANIJE KASAMI
