Maqedoni
Edita Tahiri: shqiptarët në RM të kenë status shtetformues
05.05.2015 17:21
Ministrja pa resor e Kosovës, Edita Tahiri, gjatë një ligjërate të mbajtur në UEJL ka vlerësuar se shqiptarët në Maqedoni duhet konsideruar si element shtetformues...

Andaj ajo u bën thirrje partive politike shqiptare që për realizimin e interesave shqiptare të jenë më të bashkuara. Madje, ajo thotë se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni si etnitet nuk mund të krahasohen me ato të serbëve në Kosovë. Serbët në Kosovë janë pakicë, ndërsa shqiptarët në Maqedoni janë etnitet i barabartë me maqedonasit.
“Ne jemi dakordur që shqiptarët në Maqedoni të kenë status shtetformues. Prandaj, Marrëveshja e Ohrit ju e dini mirë se nuk e ofron këtë status dhe porosia ime ishte që duhet të kërkoni të avanconi të drejtat e shqiptarëve. Por, pjesa tjetër u takon të marrin vendime partitë politike në Maqedoni dhe gjithë ju shqiptarët këtu”- deklaroi ministrja pa resor e Kosovës, Edita Tahiri.
Ministrja Tahiri, duke mos dashur të komentojë për incidentin e paradokohshëm në fshatin Gushincë, i ka vlerësuar lartë marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni në të gjitha sferat. Shteti i Kosovës, ka shtuar ajo, se është i interesuar që Qeveria e Maqedonisë t’i përmbush të gjitha obligimet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.
“Raportet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë janë raporte ndërfqinjësore të cilat ne jemi vazhdimisht të interesuar që t’i avancojmë, por këtë kuadër jemi shumë të interesuar që të shohim përmbushjen e të gjitha obligimeve që i ka Qeveria e Republikës së Maqedonisë në raport me të drejtat e shqiptarëve të përkufizuar në Marrëveshjen e Ohrit”- tha Tahiri.
Ministrja, Edita Tahiri, këto komente i ka bërë në Universitetin e Evropës Juglindore, duke ligjëruar mbi temën: “Marrëveshjet etnike të Ballkanit për stabilitet politik të qëndrueshëm”.
VISAR SADIKI
