Maqedoni
BDI: Liderët e VLEN-it keqpërdorën fondet shtetërore
22.01.2025 13:56
BDI ka kërkuar nga Prokuroria që të reagojë lidhur me, siç thuhet, mashtrim me fondet shtetërore të kryer nga liderët e VLEN-it...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar nga Prokuroria që të reagojë lidhur me, siç thuhet, mashtrim me fondet shtetërore të kryer nga liderët e VLEN-it. Nga BDI njëherit kërkojnë që liderët e koalicionit VLEN t’i bëjnë publike fondet e shpenzuara nga shteti për t’u shëtitur rrugëve të Uashingtonit në kuadër të përpjekjes së shëmtuar për të krijuar një iluzion të mbështetjes ndërkombëtare.
“Deklaratat e tyre publike për një ftesë zyrtare për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Donald Tramp ishin një mashtrim i turpshëm dhe një përpjekje e shëmtuar për të krijuar një iluzion të mbështetjes ndërkombëtare. Në vend që të përfaqësonin dinjitetshëm interesat e qytetarëve, ata u panë duke u endur rrugëve të Uashingtonit, duke publikuar foto groteske në rrjetet sociale përpara posterave të ceremonisë dhe ndërtesave qeveritare. Përveç manipulimit politik, ky rast përfaqëson një abuzim të rëndë me fondet publike për shëtitje të shtrenjta, që kanë në themel synime të ulëta politike. Kërkojmë që çdonjëri prej tyre të bëjë publike fondet e shpenzuara nga shteti për këtë ekskursion dhe më pas, Prokuroria Kundër Korrupsionit të nisë një hetim të plotë dhe të paanshëm mbi këtë skandal.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
VLEN: Amerikanët e vulosën si të padëshiruar BDI-në
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga VLEN-i, prej ku thonë se thirrjet e BDI-së non grata dhe patericave të saj janë vetëm përpjekje të dëshpëruara për të shpërqendruar qytetarët nga e vërteta, shqiptarët janë të lodhur nga mashtrimet dhe fjalët e tyre boshe! Sipas VLEN-it, amerikanët i kanë vulosur si të padëshiruar dhe këtë BDI nuk e mbulon dot me fjalë të mëdha.
“Ne, koalicioni VLEN, jemi krenarë që respektohemi ndërkombëtarisht. Pjesëmarrja jonë në inaugurimin e presidentit Tramp është një nder dhe një dëshmi e pozicionit tonë të fortë në arenën ndërkombëtare. Aktualisht Afrim Gashi, Izet Mexhiti, Arben Taravari dhe Zeqirija Ibrahimi ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takime të rëndësishme, ku po diskutojnë për nevojat reale të qytetarëve dhe për të ardhmen e vendit. Në vend që të kërkojë akuza kundër të tjerëve përmes kumtesave, BDI duhet të shikojë në oborrin e saj dhe të shpjegojë se si liderët e saj arritën deri në atë pikë që të jenë në lista të zeza apo nën monitorim nga institucionet ndërkombëtare. Ndërsa ne ndërtojmë ura, BDI dhe patericat e saj kanë ngelur në vendnumëro me politikat e tyre të vjetra dhe pa vizion. BDI dhe patericat e saj mund të bëjnë zhurmë sa të duan, por shqiptarët e dinë kush po punon për ta dhe kush ka dështuar. Dikush në Uashington duke përfaqësuar shqiptarët, dikush duke fshirë djersën nga frika se mos përfundojnë në listat e zeza! VLEN-i është zëri i popullit, ndërsa BDI non grata është turpi i së kaluarës!”, theksojnë nga VLEN.
Sa u përket keqpërdorimeve të fondeve publike, BDI është e paarritshme, thonë nga VLEN, sipas të cilëve kur të përmendet BDI nuk mund të mendojmë tjetër pos për keqpërdorime dhe korrupsion. BDI-së duhet vetëm t’i përmendet kompania e Drin Ahmetit dhe kjo flet vetvetiu, thonë nga koalicioni VLEN.
FITIM KRYEZIU
