Maqedoni
Këshilli Gjyqësor, gjykatësi Enver Bexheti, akoma gjykatës
22.01.2025 15:05
Gjykatësi Enver Bexheti, i cili u fut në Listën e Zezë të SHBA-së, për shkak përfshirjes së tij në korrupsion...

Gjykatësi Enver Bexheti, i cili u fut në Listën e Zezë të SHBA-së, për shkak përfshirjes së tij në korrupsion, akoma vazhdon të jetë gjykatës në Gjykatën e Apelit në Shkup. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kombovski, nuk precizoi nëse në listën e gjykatësve kundër të cilëve janë hapur procedura për përgjegjësi ndodhet edhe gjykatësi Enver Bexheti.
“Kolegu është akoma gjykatës. Në Këshillin Gjyqësor po procesuohen më shumë procedura kundër gjykatësve, megjithatë nuk mund t’i publikoj emrat e atyre kolegëve duke pasur parasysh se ato procedura janë të fshehta. Jo që unë apo Këshilli Gjyqësor nuk duam t’i zbulojmë, megjithatë ligji e ndalon t’i publikojmë. Mënyra e vetme që këto emra apo procedura gjyqësore të jenë publike është vetëm nëse ata gjykatës kërkojnë që procedura të jetë publike.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Kambovski: Shkarkimet e paralajmëruara nuk janë presion
Shkarkimin e paralajmëruar të kryeministrit ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, për shkak të besimit shumë të ulët të qytetarëve në gjyqësor, Kambovski nuk e sheh si presion mbi punën e Këshillit Gjyqësor.
“Ne jemi pushtete të ndryshme. Siç e dini, sipas Kushtetutës, pushteti është i ndarë në: ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Është normale që mes këtyre pushteteve të ketë komunikim, ndonjëherë edhe mosmarrëveshje. Secili punon në lëminë e tij dhe secili punon në pajtueshmëri me ligjet dhe Kushtetutën. Nëse kritikohen pushtetet mes veti unë nuk e vlerësoj si presion. Secili punon në suaza të kompetencave të tija.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Ditë më parë kryeprokurori Ljupço Kocevski tha se ndaj Bexhetit po zhvillohet procedurë parahetimore. Ai u gjend në Listën e zezë Amerikane për përfshirje në korrupsion të nivelit të lartë, për marrjen e ryshfetit në lidhje me procedurën gjyqësore ndaj ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov. Deri më tani Këshilli Gjyqësor ka gjobitur Bexhetin me ndalesë në pagë për 6 muaj nga rroga 20%, për shkak të mbajtjes në sirtarë të lëndëve që kishin të bëjnë me përgjimet për më shumë se nëntë muaj.
FLORIJE KAMBERI
