Licencat për çerdhe, BDI: Po minimizohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe

22.01.2025 15:39

Pas ndryshimit të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve....

Pas ndryshimit të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, vazhdojnë përplasjet politike. Po tentohet minimizimi i përdorimit të gjuhës shqipe, reagojnë nga BDI, për ndryshimin e ligjit në fjalë, i cili fillimisht parashikonte që licencat të jepen në dy gjuhë, ndërsa me ndryshimet e reja të shkaktuara pas vetos së presidentes Siljanovska, ligji parashikon që licencat të jepen në dy gjuhë vetëm në rastet kur aplikuesi është shqiptar dhe e kërkon atë. 

Ky ndryshim i ligjit sipas BDI-së është një akt i papranueshëm dhe i dëmshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndëretnike dhe përmbushjen e premtimeve të bëra për të siguruar një shoqëri të barabartë.

“Miratimi i ndryshimit të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, ku përcaktohet që licencat të lëshohen në gjuhën shqipe vetëm me kërkesën e përfituesit, është një akt që minimizon rëndësinë e gjuhës shqipe, duke e reduktuar nga gjuhë zyrtare dhe detyruese në një mundësi të kërkuar, duke shkelur me dy këmbë të drejtat themelore të shqiptarëve në këtë shtet. Ky vendim është një hap prapa dhe një dështim tërësor për të respektuar standardet e barazisë dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligje ndërkombëtare. Gjuha shqipe është një e drejtë e pacenueshme dhe nuk mund të trajtohet si një opsion që jepet sipas kërkesës.”, - deklaroi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

VLEN: Realizuam atë që BDI nuk e bëri për 20 vite

Nga ana tjetër, nga VLEN theksojnë se me miratimin e ligjit në fjalë, për herë të parë pas 20 viteve kandidatët shqiptarë do të mund të marrin licencën për çerdhe edhe në gjuhën e tyre amtare.

“VLEN-i arriti që nga tani e tutje t’ua mundësojë kandidatëve shqiptarë për kujdestarë të fëmijëve t’i nënshtrohen provimit në Gjuhën Shqipe dhe licencat t’i kenë edhe në Gjuhën Shqipe. Për 20 vjet kandidatët për kujdestar dhe licencat e tyre kanë qenë vetëm në gjuhën maqedonase. BDI për më shumë se dy dekada nuk mundi t’i zgjidhë problematikat e shqiptarëve dhe ta dërgojë në fund zbatimin e gjuhës shqipe, pasi derti i tyre nuk ishte Gjuha Shqipe, por kazino, Soravia dhe bizneset personale.”.

Licencat dygjuhësore, në kuadër të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve pas votimit të parë në dhjetor u kontestuan nga presidentja e shtetit me arsyetimin se janë në kundërthënie me Kushtetutën. Tanimë me miratimin në lexim të tretë, presidentja obligohet të firmosë dekretin. (Ersan Pajaziti, TVM2)