Tetovë, u lëshua në përdorim çerdhja “Rilindja”

22.01.2025 16:35

Pas shumë vonesave dhe peripecive të ndryshme...

Pas shumë vonesave dhe peripecive të ndryshme, më në fund është lëshuar në funksion çerdhja “Rilindja” në Tetovë. Kjo çerdhe është financuar nga mjetet e BE-së. Ambasadori Mihalis Rokas, tha se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë, pasi sipas tij, të gjithë kemi obligim të ndërtojmë një arsim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

“Sot jemi krenarë që do të përurojmë një nga dy çerdhet që ka financuar  BE-ja, në Tetovë dhe rajonin e Tetovës. Kjo vërtet simbolizon prioritetin  që BE-ja dhe të gjithë ne i japim ardhmërisë së gjeneratave të reja. Ne të gjithë kemi për obligim të ndërtojmë një arsim që është më i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Kur kemi arsim kualitativ që nga mosha e hershme, i vendos fëmijët në trajektoren e suksesit në shkollë. Çerdhja është vendi ku fëmijët mësojnë hapat e para dhe dashurinë e parë.”, - deklaroi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokos.

Drejtoresha Fatlinda Jahja thotë se hapja e kësaj çerdhe do të ulë  pritjet e fëmijëve për t’u regjistruar në çerdhe, pasi mbi 100 fëmijë janë në pritje për t’u regjistruar.

“Në fillim të shtatorit ka qenë lista kështu, por nga shtatori deri në dhjetor, vazhdimisht kemi bërë pranim të fëmijëve, pasi kemi fëmijë që nuk adaptohen. Tek ajo listë tani kanë mbetur 150 fëmijë ku nga këto 150 fëmijë, 60 janë të regjistruar në kopsht dhe që këto lista të pritjeve të fillojmë nga shkurti ose marsi t’i shqyrtojmë. Ky objekt besoj se do të pranojë deri 145 fëmijë, nga sot është hapur çerdhja dhe ky kapacitet do të mbushet.”, - theksoi drejtoresha e çerdhes “Rilindja”, Fatlinda Jaja.

Pas lëshimit në përdorim të kësaj çerdheje, nëse shihet e nevojshme vitin e ardhshëm komuna do të aplikojë te Ministria e Politikës Sociale për çerdhe të re, thotë kreu i Tetovës, Bilall Kasami.

“Nga momenti që do të plotësohen të gjitha kapacitet e kësaj çerdheje, do ta bëjmë vlerësimin e ri dhe do të dalim me kërkesë të re nëse do të shihet e nevojshme për ndërtimin e një çerdhe të re. Ne paralel punojmë edhe për rikonstruimin e çerdheve aktuale. Nëse shohim se ka nevojë për objekt të ri, sigurisht se do të aplikojmë në ministri. Për këtë vit nuk kemi aplikuar.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 

Ndërkaq, Fatmir Limani, ministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini,  thotë se gjatë këtij viti planifikohet ndërtimi i 25 çerdheve të reja.

“Gjatë vitit 2025 janë paraparë të hapen 25 çerdhe të reja, por kjo nuk varet vetëm nga Ministria Sociale për Demografi dhe Rini, por varet nga planifikimet që i bëjnë komunat. Ne kemi këtu mjete të dedikuara edhe përmes Bankës Botërore edhe nga mjetet vetanake të Ministrisë Sociale dhe Demografisë dhe Rinisë. Përafërsisht një çerdhe kushton 700 mijë/800 mijë euro e 1 milion, që i bie në total për 25 çerdhe. Unë mendoj që çdo komunë që ka interes të posaçëm të tipit të çerdheve i ka dyert e hapura te ministria.”, - theksoi ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani.

Mungesë më e theksuar e çerdheve vërehet në shumë komuna, e sidomos në komunat rurale. (Visar Sadiki, TVM2)