Tramp: Bisedime për paqe ose sanksione ndaj Rusisë

22.01.2025 16:59

Presidenti amerikan, Donald Tramp...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka paralajmëruar se do ta godasë Rusinë me sanksione shtesë, nëse presidenti Vladimir Putin nuk i pranon bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përderisa i ka bërë thirrje udhëheqësit kinez, Xi Jinping, gjatë një bisede telefonike, për të ndihmuar në ndaljen e konfliktit.

“Duket se po”, u ka thënë Trampi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, kur është pyetur nëse Uashingtoni do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, nëse Putini nuk i bashkohet tavolinës së negociatave.

Presidenti amerikan ka ritheksuar synimin e tij për të biseduar me Putinin në planin afatshkurtër, por pa përmendur një periudhë.

“Mendoj se po e shkatërron Rusinë me mosarritjen e marrëveshjes. Rusia do të jetë në pozitë tejet të pavolitshme, shikojeni inflacionin atje. Ne po bisedojmë me Zelenskin. Do të flasim me presidentin Putin shumë shpejt. Do ta shikojmë!”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Trampi ka thënë se Zelenski i ka bërë të ditur se dëshironte një marrëveshje për paqe për t’i dhënë fund luftës. Presidenti amerikan ka thënë, po ashtu, se ekipi i tij po shikon mundësitë për dërgimin e armëve shtesë për Ukrainën.

Rubio: Përfundimi i luftës në Ukrainë, në krye të agjendës

Edhe sekretari i jashtëm amerikan, Marko Rubio, ka thënë se në krye të agjendës së diplomacisë amerikane ndodhet përfundimi i luftës në Ukrainë.

“Do të angazhohemi që ta përfundojmë luftën në mënyrë të qëndrueshme, nuk dëshirojmë që ajo të fillojë pas tre apo katër vitesh.”, - theksoi sekretari i jashtëm i ShBA-së, Marko Rubio.

Por, qëndrimi i presidentit rus për Ukrainën mbetet i pandryshuar, ka bërë të ditur Kremlini, prej ku thonë se presidenti rus angazhohet për paqe afatgjate bazuar në interesat ruse.

Presidenti i ri amerikan, Tramp, ka bërë të ditur se në luftimet e deritanishme mes Rusisë dhe Ukrainës kanë humbur jetën një milion ushtarë rusë dhe 700 mijë ukrainas. (Ersan Pajaziti, TVM2)