Turqia shpall ditë zie, 9 të arrestuar pas kaplimit të zjarrit në resort
Ka shkuar në 9 persona numri i të arrestuarve....

Ka shkuar në 9 persona numri i të arrestuarve pas rënies së zjarrit në një resort skijimi në Turqi. Mes tyre është edhe pronari i hotelit, i cili prej vitesh e menaxhonte atë.
Sipas mediave turke, numri i viktimave është 76 persona, ndërsa zjarrfikësit dhe ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende kontrollin në 13 katet e resortit për të parë nëse ka ende ndonjë person të mbetur brenda.
45 nga viktimat ende nuk janë identifikuar dhe pritet që të bëhen analizat e ADN-së. Ndërkohë Turqia ka shpallur ditë zie. Presidenti Erdogan u zotua se do të ketë përgjegjësi për tragjedinë.
“Kanë nisur hetimet administrative dhe gjyqësore për të përcaktuar si shkakun e zjarrit, ashtu edhe përgjegjësit e tragjedisë. Këtë duhet ta them qartë dhe pa mëdyshje njëherë e mirë; ata që shkaktuan një tragjedi të tillë për çfarëdo arsye, ata që kanë faj do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Ne e dimë se qytetarët tanë që humbën të afërmit e tyre janë në pikëllim dhe dhimbje të thellë. Për të ndarë dhimbjen e këtyre vëllezërve dhe motrave është shpallur një ditë zie kombëtare. Sot flamujt tanë do të valëviten në gjysmë shtizë deri në perëndim të diellit në të gjithë vendin tonë dhe në misionet tona të huaja.”, - deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Ndërkohë autoritetet kanë identifikuar 52 trupa dhe është formuar një ekip prej pesë ekspertësh për të përcaktuar shkaqet e sakta të tragjedisë.
“Në objektin e mjekësisë ligjore po kryhen analizat e ADN-së. Për shkak të ngjarjes me urdhër të kryeprokurorit janë ndaluar nëntë persona. Për të paktën 10 ditë do të përfundojmë këtë hetim dhe do të kemi përgjigjet për të gjitha pyetjet, gjithçka do të sqarohet.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Ali Jerlikaja.
Sipas raportimeve, në brendësi të resortit kanë qenë mbi 230 persona, ndërsa shumë prej tyre fatmirësisht arritën që të shpëtojnë.
Mbeten ende të paqarta shkaqet që çuan në zgjerimin e zjarrit, ndonëse thuhet se flakët nisën nga restoranti i resortit. (Flutura Latifi, TVM2)
