Botë
Trampi kërkon përfundimin e luftës në Ukrainë
23.01.2025 11:20
Presidenti amerikan, Donald Tramp, i ka thënë presidentit rus, Vladimir Putin...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, i ka thënë presidentit rus, Vladimir Putin, që t'i jap fund luftës në Ukrainë ose do të përballet me sanksione të reja. Trampi ka thënë se do të aplikojë tarifa të larta për prodhimet ruse dhe sanksione tjera nëse Putini dështon që t’i jap fund luftës në Ukrainë.
Trampi ka shkruar gjithashtu se duke e bërë këtë presion mbi presidentin rus, atij po i bën nder shumë të madh.
Rusia ende nuk ka kthyer përgjigje mbi këto komente të presidentit Tramp, megjithatë zyrtarë të lartë rus ditëve të fundit kanë thënë se ekziston një dritare shumë e vogël për Moskën që të bashkëpunojë me administratën e re amerikane.
Të martën gjatë një konference për shtyp, presidenti Tramp ka thënë se shumë shpejt do të ketë një bisedë me presidentin Putin. Sa i përket çështjeve tjera, sipas një memorandumi të brendshëm, Trampi planifikon që në kufirin me Meksikën mund të dërgojë deri në 10 trupa ushtarake. Sipas një burimi ushtarak, 1.500 trupa tashmë janë dërguar në kufi për t’i instaluar apo vendosur barrierat.
Ndërkohë, Fondacioni i miliarderit, Majkëll Blumberg ka thënë se do t’i kryejë obligimet e ShBA-së ndaj organit të OKB-së për ndryshimet klimatike pas thirrjes së presidentit Trampit për tërheqjen e vendit nga Marrëveshja e Parisit.
Blumberg, i cili shërben si i dërguar i posaçëm i OKB-së për ndryshimet klimatike ka thënë se ndërhyrja e tij synon të sigurojë që financimi për Konventën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike të mbetet i plotë.
