Maqedoni

Rokas: BE-ja mbështet RMV-në për t’i bërë reformat e nevojshme

23.01.2025 14:41

Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, vlerëson se integrimet dhe BE duhet të mbetën qëllim strategjik i vendit tonë...

Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, vlerëson se integrimet dhe BE duhet të mbetën qëllim strategjik i vendit tonë. Kështu u shpreh Rokas pas vizitës së tij në Kumanovë. Rokas tha se BE-ja mbështet RMV-në për t’i bërë reformat e nevojshme, mirëpo vlerëson se është koha që të shfrytëzohet momentumi i BE-së për zgjerim, si dhe momentumi i përbërjes së re qeveritare të Bullgarisë me të cilën do të tejkalohen çështjet e hapura mes të dyja vendeve. Rokas kujton se ka një aktivitet intensiv diplomatik për integrimin evropian të vendit.

“Ne si BE e përshëndesim dhe mirëpresim përzgjedhjen e re qeveritare në Bullgari dhe në të njëjtën kohë ne si BE fokusohemi në implementimin e reformave dhe duke e shtuar edhe momentumin e mirë në kontekst të zgjerimit të BE-së, është më se i mirëseardhur. Dhe sikur e dini, kryeministri veç më ishte dy herë në Bruksel dhjetorin e kaluar, kështu që ka aktivitete intensive diplomatike për momentin të cilat po zhvillohen dhe përderisa kjo ndodh për të tejkaluar çështjen me Bullgarinë, ne si BE jemi shumë të fokusuar në implementimin e reformave të duhura edhe ato të ndërlidhura me agjendën reformuese, e cila para ca kohësh u miratua nga Qeveria e juaj.”, - deklaroi shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Mihalis Rokas. 
 
Në rrugëtimin e vendit drejt BE-së, tha Rokas, rol kyç ka edhe mbështetja e ShBA-së. Për sa i përket pritshmërive nga administrata e re e Trampit, Rokas vlerëson se çdo iniciativë apo ndihmë që mund të vijë në të ardhmen në këtë drejtim do të jetë mirëseardhur. 
 
“ShBA-ja është një partner strategjik i vendit tuaj dhe çfarë do nisme që vjen nga ana tjetër e Atlantikut me të cilën do të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të vendit tuaj në BE është e mirëseardhur.”, - theksoi shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.
 
Këto komente Rokas i bëri gjatë vizitës së tij me kryetarin e komunës  së Kumanovës, Maksim Dimitrevski, dhe këshilltarët e  kësaj komune, në të cilin qytet po implementohen disa projekte të financuara nga BE-ja për ekonominë e gjelbër. 
 
REXHEP QAMILI