Maqedoni

Miratohet programi qeveritar, Miteva: Përkushtohet në zhvillimin ekonomik

23.01.2025 15:06

Inkurajimi i një cikli të fortë të rritjes ekonomike, përmirësimi i infrastrukturës së transportit...

Inkurajimi i një cikli të fortë të rritjes ekonomike, përmirësimi i infrastrukturës së transportit, rritja e standardeve të jetesës, krijimi i vendeve të punës cilësore, modernizimi i sistemit arsimor dhe përshpejtimi i transformimit digjital janë vetëm disa nga prioritetet strategjike për periudhën 2024-2028, njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. Në zbatimin e tyre synon edhe Programi i Punës së Qeverisë për vitin 2025, i cili u miratua në seancën e kaluar, tha Miteva, duke theksuar se ringjallja ekonomike e vendit është prioritet kryesor. Programi ka dy pjesë, njëra i referohet akteve dhe materialeve të vendosura nga Kuvendi dhe tjetra i referohet Qeverisë.
 
“Do të veçoja projektligjin për menaxhimin e lëndëve në gjykata dhe do të punojmë në Projektligjin për Shërbimin Gjyqësor dhe Prokurorial Publik. Qëllimi është përmirësimi i kuadrit profesional në këto shërbime. Dëshiroj të përmend edhe Projektligjin për ndryshimin e ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Në pjesën e dytë, që i referohet punës së Qeverisë dhe akteve dhe materialeve të nxjerra nga Qeveria, fushëveprimi është më i gjerë në të gjitha segmentet, do të përmendja sektorin e arsimit, siç është rindërtimi i objekteve shkollore, buxheti i këtij viti është 6 miliardë denarë më shumë se vitin e kaluar ose gjithsej 38 miliardë denarë.”, - theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. 
 
Programi synon arritjen e prioriteteve strategjike për periudhën 2024-2028, për t'iu përgjigjur sfidave urgjente si rikthimi i besimit te institucionet, luftimi efektiv i krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit. Nga Qeveria theksojnë se programi synon të japë rezultate të mira dhe në kohë.
 
ERSAN PAJAZITI