Botë

Siri, civilët sirianë pre e mizorive

05.05.2015 17:55

“Civilët në qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Alepo, po përjetojnë mizori të paimagjinueshme”...

“Civilët në qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Alepo, po përjetojnë mizori të paimagjinueshme”-ka denoncuar “Amnesty International”. 

Një raport i ri i grupit pretendon se forcat e qeverisë dhe grupet rebele po kryejnë krime lufte.

Qeveria në vijimësi ka intensifikuar bombardimet e saj në Alepo në javët e fundit, për t’iu kundërpërgjigjur ofensivës së rebelëve.

Rasti i fundit i sulmit me mjete të tilla u verifikua të dielën në një shkollë, ku të paktën 10 persona, përfshirë katër fëmijë dhe një mësues, humbën jetën.

Raporti i Amnesty thotë se nga janari 2014 deri në mars 2015 qeveria siriane ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme me bomba dhe me bombula, që përveç gazit mbushen me eksploziv, karburante të tjera apo copa metali, kryesisht në Alepo.

Objektiva të sulmeve kanë qenë edhe 14 tregje, 12 stacione transporti, 23 xhami, 17 spitale dhe qendra mjekësore, si dhe 3 shkolla. 

VLORA LATIFI-TOPOJANI