Botë

Presidenca e Kosovës: Vendimet e Trampit nuk e dëmtojnë Kosovën

23.01.2025 16:00

Vendimet e deritashme të presidentit amerikan, Donald Tramp, nuk kanë ndikim negativ në Kosovë....

Vendimet e deritashme të presidentit amerikan, Donald Tramp, nuk kanë ndikim negativ në Kosovë. Kjo u konfirmua pas takimit të shefes së stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, me zëvendës ndihmës sekretarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanof, në Uashington D.C.
 
“Gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë te Dialogu Strategjik Kosovë-ShBA, i cili u arrit me iniciativë të Presidentes, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik, si dhe pritshmëritë nga ky proces, e po ashtu çështje të tjera të interesit të përbashkët. Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga presidenti Tramp, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë, si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, kanë njoftuar nga presidenca e Kosovës.
 
Njëherit bëhet e ditur se zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Kasanof, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa përfaqësuesit e presidencës së Kosovës kanë ritheksuar nevojën që Dialogu të përqendrohet në njohjen reciproke. Presidenti amerikan, Donald Tramp, në ditën kur mori mandatin, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.
 
GYLTENE SINANI