Gjykata Penale, amnistohen organizatorët e 27 prillit në Kuvend

23.01.2025 16:15

Trajko Veljanovski, Spiro Ristevski, Mile Janakieski dhe Vlladimir Atanasovski...

Trajko Veljanovski, Spiro Ristevski, Mile Janakieski dhe Vlladimir Atanasovski nuk do të ndiqen më si organizatorë të ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvend. Gjykata Penale në Shkup pranoi kërkesën për përfshirjen e tyre në Ligjin për Amnisti.

Në elaborimin e vendimit, gjykatësi Ilija Tërpkov, u tha qartë se ai dhe trupi gjykues është kundër kësaj amnistie, pasi vlerësojnë se Ligji për amnisti nuk vlen për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend.

Sipas tij, nuk mund të quhen patriotë personat të cilët hyjnë në Kuvend, dhunojnë dhe rrahin deputetë. Ndërsa shtoi se kjo tregon qartë se kujt i ndihmojnë ligjet e RMV-së.

“Personalisht dhe si trup gjyqësor ende jemi në qëndrimin se synimi i ligjvënësit ishte që në asnjë rast organizatorët të mos amnistohen. Por, në Ligjin për Amnisti, në dispozitat e nenit 1, paragrafi 3 është një akt sipas të cilit Gjykata e Apelit dhe Prokuroria Publike vlerësojnë se të akuzuarit Trajko Veljanovski, Spiro Ristevski, Mile Janakieski, nuk janë persona që kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet e tyre zyrtare dhe kryerjen e veprës penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues. Opinioni e ka të qartë se kujt i ndihmohet me ligjet dhe se si ato interpretohen. Sigurisht nuk interpretohen për ato të dënuar të akuzuar për ngjarjet në Kuvend që gjenden në burg. Dikush këta të dënuar po i quan patriotë.”, - deklaroi gjykatësi, Ilija Tërpkov.

Avokatët mbrojtës, në këtë rast arsyetojnë vendimin për amnistimin e të akuzuarve.

“Që nga fillimi kemi thënë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik, me qëllimin e vetëm që të ikin nga përgjegjësia fajtorët e vërtetë. Sipas nesh dhe sipas provave, mund të vërtetohet se në atë kohë, në ato ngjarje Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka kryer detyrën e saj. Atë kohë ministria udhëhiqej nga Oliver Spasovski dhe zëvendësministri ishte nga BDI.”, - theksoi avokati, Jordan Apostollski.

“Ligji për amnisti nuk vlen për ata që kanë vepruar si organizatorë për kualifikim tjetër juridik, gjegjësisht kualifikimi juridik sipas nenit 324. Në atë nen, sa i përket të gjithë atyre për të cilët ekziston kualifikim juridik nga neni 313 nga Kodi Penal si Rrezikim terrorist i rendit kushtetues janë numëruar përjashtimet që kanë të bëjnë për persona me armë, identitet të fshehur dhe persona që kanë përdorur dhunë në Kuvend.”, - u shpreh avokati, Elenko Millanov.

Deri më tani, i njëjti gjykatës në dy raste ka vendosur që amnistimi nuk i përfshin këta të akuzuar, por Apeli ka kërkuar për herë të tretë, kësaj radhe i shoqëruar edhe me mendim pozitiv nga Prokuroria. (Florije Kamberi, TVM2)